Amerika dhe aleatë të tjerë ndërkombëtarë pritet të formojnë një koalicion ushtarak për survejimin dhe mbrojtjen e anijeve nga sulmet e Iranit. Republika islamike prej muajsh akuzohet si palë përgjegjëse për sabotimin e disa mjeteve lundruese përgjatë Gjirit Persik, akuza këto që mohohen nga Teherani.

Shtetet e Bashkuara duan një koalicion ndërkombëtar ushtarak për të patrulluar ujërat e Gjirit Persik afër Iranit.

Gjenerali i marinës amerikane, Joseph Dunford, deklaroi pas takimeve me ministrat e mbrojtjes dhe të shtetit se qëllimi është garantimi i lundrimit të lirë në rajon.

Dunford: "Jemi në kontakte me një numër vendesh. Mendoj se në javët e ardhshme do të dimë qartë se cilat shtete kanë vullnetin politik për ta mbështetur nismën dhe më pas do të punojmë ushtarakisht drejt këtij objektivi."

Plani i administratës amerikane vjen si përgjigje ndaj sabotimeve të përsëritura të anijeve që lundrojnë përgjatë Gjirit Persik dhe Jemenit.

Pentagoni mban përgjegjës shtetin iranian për shpërthimin e tyre me mina.

Zona e njohur si Gjiri i Hormuzit është nyjë e rëndësishme e transportit të naftës nëpër botë, por Irani ka kërcënuar se do e bllokojë nëse nuk çlirohet nga sanksionet amerikane që aplikohen aktualisht ndaj naftës dhe ekonomisë vendëse.

Sanksionet u vendosën vitin e kaluar, kur Shtetet e Bashkuara u tërhiqen nga pakti antibërthamor i vitit 2015 me Iranin, me arsyen se republika islamike nuk po i përmbahej zotimeve për çarmatim.

Ndërkohë, të martën kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu komentoi deklaratën e një deputeti iranian se Izraeli do të shkatërrohej brenda një gjysmë ore nëse Uashingtoni do i shpallte luftë Teheranit.

Duke folur nga një bazë ajrore me avion bombardues në sfond, kreu i ekzekutivit kujtoi se flota e vendit është aktive në të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë Iranin dhe Sirinë.



/Ora News.tv/