Geri Ballo, shqiptarja e parë që garon për PE: Diaspora duhet të ketë një përfaqësuese në Parlamentin Europian!

Geri Ballo, shqiptarja e parë që garon për PE: Diaspora duhet

Geri Ballo është e para shqiptare në Itali, kandidate për zgjedhjet europiane të majit 2019.

Ajo është renditur në krah të qendrës së majtë italiane e cila ka prezantuar në Romë kandidatët zyrtarë të saj për Parlamentin e ri Europian.

Për RTV Ora, Ballo shprehet se kandidimi është një përgjegjësi e madhe, një nder por dhe një mundësi shumë e madhe për shqiptarët dhe arbëreshët në Itali.

Geri Ballo: Partia e cila më ka kërkuar që të kandidoj është ajo e qendrës së majtë, Partito Democratico, që ka qenë ndër vite dhe është edhe sot partia më e afërt me të drejtat e shqiptarëve të Italisë.

Sa i përket forcës me të cilën kandidon, Ballo shprehet se pikërisht kjo është partia që u jep mundësinë të gjithëve.

Geri Ballo: Ka mjaft shqiptarë të tjerë që kandidojnë në nivel bashkiak dhe pjesa më e madhe e tyre kandidon pikërisht me këtë parti sepse është partia që ne na jep mundësi, është partia kundër racizmit dhe diskriminimit të emigrantëve.

Ballo shprehet se ky është një moment rreziku ndaj nacionalizmit ndaj fton të gjithë shqiptarët që të japin kontributin e tyre me votë, pasi në këtë mënyrë mbështesin vendin.

Geri Ballo: Nacionalizmat do të thonë dhe për vendin tonë "lamtumirë" ndaj procesit për integrimin europian, shumë më pak të drejta për emigrantët, për shqiptarët e Italisë, italo-shqiptarët.Është një panoramë ogurzezë për të cilën duhet të jemi të gjithë të thirrur që të japim një kontribut që ta shmangim.

Si kandidate e parë shqiptare në zgjedhjet evropiane, Ballo shprehet se ky është dhe një vlerësim për arbëreshët që prej shekujsh kanë ruajtur traditën dhe kulturën shqiptare.

Geri Ballo: Është një arritje për Diasporën, është një mundësi për ne, aspak për mua.

Një ftesë ajo e ka dhe për shqiptarët që nuk kanë mundësi votimi.

Geri Ballo: Ata që nuk kanë shtetësi italiane mund ti tregojnë këtë mundësi miqve, të njohurve italianë, njerëz që i njohin sakrificat, i njohin vlerat, e njohin punën e komunitetit tonë.

Geri Ballo është në listën e Kolegjit Zgjedhor të Italisë së Jugut ku janë përfshirë rajonet si Kalabria, Abruzzo, Molise, Basilicata, Puglia e Campania.

Ajo është një figurë e njohur për komunitetin shqiptar e arbëresh në Itali.

Për punën e saj, qyteza arbëreshe Lungro e ka vlerësuar me titullin "Qytetare Nderi".

EMISIONET