Serbia nuk do të pranojë kurrsesi vendimin e INTERPOL-it, i cili  hoqi nga lista e të kërkuarve kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe 17 persona të tjerë, ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kishin urdhër-arreste nga Serbia. Kryetarii Komisionit të Kuvendit serb për "Kosovë dhe Metohi, tha se INTERPOL-i nuk e ka shfuqizuar urdhër-arrestin për Ramush Haradinaj, por sipas tij thjesht e ka bërë të padukshëm për shtetet e tjera, përveç Serbisë. 

Zyrtari serb Milovan Drecun tha se Haradinaj mund të shkojë në Francë apo ndonjë vend tjetër dhe askush mos ta ndalojë, por nëse vjen në territorin serb kryeministri i Kosovës është në rrezik, paralajmëroi Drecun. Ai akuzoi vendimin e INTERPOL-it duke e cilësuar si të tëmerrshëm dhe me motive politike. Sipas kryetarit të kuvendit serb, ky vendim mund të sjellë pasoja për  dialogun Beograd-Prishtinë. Drecun tha se pas këtij veprimi,  nuk mund të flitet për pajtim mes dy vendeve.

Ndërkohë më herët, Ministri i Brendshëm serb, ka paralajmëruar se në qoftë se  Ramush Haradinaj do të bie në dorë të organeve të sigurisë serbe, atëherë do të arrestohet, sepse ndaj tij ekziston një urdhër-arrest i gjykatës serbe. Ministri Nebojsha Stefanoviç tha se Beogradi do t'i kërkojë INTERPOL-it të rishikojë vendimin dhe shprehu besimin se Serbia do të ketë përsëri një urdhër-arrest aktiv, i cili do të jetë i dukshëm në çdo vend të botës. 

Edhe Ministria e Brendshme e Serbisë ka deklaruar më herët se do t'i paraqes Ministrisë së Drejtësisë dhe  Prokurorisë së krimeve të luftës iniciativën që së bashku të apelojnë  vendimin e INTERPOL-it, sipas të  cilit është shfuqizuar urdhërarresti i Serbisë për Ramush Haradinaj dhe 17 personave të tjerë të UCK-së.

/Ora News.tv/