Serbia nuk lejon vizitën e ministrit të Jashtëm të Kosovës në Sanxhak

Serbia nuk lejon vizitën e ministrit të Jashtëm të

Autoritetet serbe refuzuan t'i japin leje ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, që të qëndrojë në rajonin e Sanxhakut ne Serbinë jugperëndimore, që është zona e banuar me shumicë të komunitetit boshnjak.

Ministri Pacolli ishte ftuar nga Këshilli Kombëtar i Boshnjakëve për të qëndruar më 21 dhe 22 korrik në Novi Pazar, për të marrë pjesë në një konferencë të këtij këshilli.

Autoritetet e Serbisë refuzuan të japin leje, në një veprim që ministria e Jashtme e Kosovës e cilësoi si shkelje të marrëveshjes së Brukselit dhe cenim të lëvizjes së lirë.

"Ne, sot jetojmë në shekullin, ku lëvizja e lirë e njerëzve është e drejtë fundamentale e njeriut dhe çdo shtet e qeveri duhej ta respektojë atë. Kosova ka respektuar këto të drejta me përkushtim të madh dhe do t’i respektoj gjithmonë derisa mos të abuzohet me to, si në shumë raste që ka ndodhur në të kaluarën me mysafirët nga shteti fqinj verior", thuhet në një komunikatë të kësaj ministrie, e cila paralajmëron mundësinë zbatimit të masave të ndërsjella.

Do të ishte e arsyeshme, që Kosova të mbajë të drejtën për masa reciproke kundrejt autoriteteve të Beogradit sipas Marrëveshjes së Brukselit, por ne i dedikohemi të drejtave fundamentale për lëvizjen e lirë të njerëzve përderisa ato mos të jenë qëllimkëqija. Të rikujtojmë faktin se edhe vizitat e kosovarëve tek bashkëkombësit e tyre në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë duhet të vihen në reciprocitet me vizitat e serbëve tek bashkëkombësit e tyre në Kosovë”, thuhet në komunikatën e ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. Pjesë e marrëveshjeve është edhe lejimi i vizitave të ndërsjella.

Qindra vizita të tilla janë kryer gjatë katër viteve të fundit. Një vizitë pa leje në Kosovë e zyrtarit te qeverisë serbe, Marko Gjuriç, në muajin mars, nxiti tensione të larta ndërmjet të dyja vendeve pas arrestimit dhe dëbimit të tij nga policia e Kosovës.

/VOA/


EMISIONET