Serbia kritikon Izraelin

Serbia kritikon Izraelin

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka kritikuar Izraelin, pasi avionët luftarakë të tij kanë marrë pjesë në manifestimet tradicionale në Kroacinë përvjetorin e 23-të të operacionit ushtarak Stuhia (Oluja).

“Është e dhimbshme që flamuri i Izraelit dje valoi gjatë festimeve për një aksion kriminal”, tha Daçiq për televizionin serb, Pink TV.

Tre avion të tipit F-16 të Izraelit, morën pjesë në shënimin e përvjetorit të 23-të të operacionit “Stuhia”.

Gjatë operacionit “Stuhia”, i cili ka zgjatur katër ditë, forcat e armatosura kroate kanë kthyer kontrollin e pjesëve të Kroacisë, të marra nga serbët në fillim të vitit 1991.

Në të u vranë qindra civilë dhe vlerësohet se rreth 200 mijë serbë u detyruan që të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Ambasada e Izraelit në Beograd tha se pjesëmarrja e avionëve izraelitë në këtë ceremoni, është e lidhur vetëm me blerjen e avionëve izraelitë F-16 nga Kroacia, raporton AP.

“Kjo nuk ka asnjë element politik apo lidhje me marrëdhëniet historike mes Serbisë dhe Kroacisë”, citon të ketë thënë ambasada izraelite në një deklaratë për agjencinë AP.

Miqësia “në mes të Izraelit dhe Serbisë”, thuhet tutje në deklaratë, “nuk do të rrezikohet asnjëherë, në asnjë formë”.

Por, Daçiq tha se është e “pamoralshme” që Izraeli të marrë pjesë në këtë ceremoni, pasi dhjetëra mijëra persona – shumica hebrenj, serbë, romë dhe kroatë anti-fashist – u zhdukën në kampet e përqendrimit të udhëhequra nga regjimi kroat gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka krahasuar operacionin “Stuhia”, me ofensivën politike të Gjermanisë Naziste.

“[Adolf] Hitler dëshironte një botë pa hebrenj. Kroacia dhe politikat e saj, duan një Kroaci pa serbë", ka deklaruar Vuçiq.

/Rel/

EMISIONET