Serbia heq dorë nga arbitrazhi për taksën që i vendosi Kosova

Serbia heq dorë nga arbitrazhi për taksën që i vendosi

Taksa doganore që Kosova zbatoi kundrejt Serbisë nëntorin e kaluar me gjasë nuk do të kundërshtohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Serbia planifikon të kundërreagojë me masa të ngjashme fiskale.

Serbia ka vendosur të mos e çojë në arbitrazh çështjen e taksës 100% që Kosova po aplikon ndaj vendit.

Mediet serbe raportojnë se misioni i përkohshëm i OKB-së në Kosovë, UNMIK, i cili nënshkroi marrëveshjen tregtare CEFTA në emër të Kosovës në vitin 2007, ka refuzuar të përfshihet në debatin në fjalë.

E përballur me këtë situatë, Beogradit i ngelet opsioni i paditjes së Kosovës si person juridik në të drejtën ndërkombëtare.

Kjo do të nënkuptonte që Serbia e njeh Kosovën si një shtet sovran dhe të pavarur, ndaj edhe e ka hedhur poshtë këtë alternativë.

Beogradi zyrtar mësohet se po shqyrton mundësinë e zbatimit të kundërmasave maksimaliste kundrejt Kosovës.

Taksa doganore ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake u vendos 21 nëntorin e kaluar në kuadër të fushatës negative të Serbisë për të penguar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga më shumë shtete apo anëtarësimin e saj në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë.

Serbia e ka cilësuar taksën si një barrierë të pakalueshme dhe e ka kushtëzuar dialogun me Prishtinën deri në heqjen e saj, ndërsa autoritetet në Prishtinë këmbëngulin që ajo të mbesë në fuqi.

Faktorët ndërkombëtarë në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar palët të bëjnë lëshime në emër të negociatave.

Pasi u diskutua gjerësisht në Samitin e prillit në Berlin, çështja e taksës pritet të rimarrë sërish vëmendjen në fillimin e qershorit kur ajo pritet të shtrohet në tryezën e planifikuar midis kryeqeveritarit të Kosovës dhe homologes së tij gjermane, Angela Merkel.

EMISIONET