Të mërkurën është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për raportin e fundit të sekretarit të OKB-së, Antonio Guteres mbi punën e UNMIK-ut në Kosovë. Në këtë mbledhje nisën përplasjet e para mes Prishtinës dhe Beogradit. Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka thënë në OKB se normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve mund të bëhet vetëm me njohjen e Kosovës.

Pavarësia e Kosovës është një proçes i pakthyeshëm, ka nënvizuar Çitaku. Ajo ka folur gjithashtu edhe për vrasjen Oliver Ivanoviçit që nuk ka ndikuar në përshkallëzimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Çitaku siguroi se nuk do të lënë gurë pa lëvizur derisa autorët e krimit të sillen para drejtësisë. Ndërsa për Gjykatën Speciale, ambasadorja e Kosovës ka theksuar se ajo nuk do të zhfuqizohet dhe se asnjë gjyq nuk do të mund të hedh hije të keqe në luftën e pastërt të UÇK-së

"Sot po takohemi një ditë pasi BE publikoi strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, ajo që u tha qartë është se Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë marrëdhëniet dhe të kenë marrëveshje ligjore. Më shumë se kurdoherë është e qartë se një status quo nuk do të thotë normalizim. Sa më herët që Serbia e njeh Kosovën do të jetë aq më mirë për rajonin.  Pavarësisht asaj që ka ndodhur të kaluarën, vrasja e Ivanoviciq nuk ka nxitur urrejtje. Ne nuk do të lëmë kurrë këtë rast pa u zbardhur derisa kryesit e krimit të sillen para drejtësisë. Sa i përket Gjykatës Speciale, Kosova ka një numër rekord të pashkollimit. Ajo që dihet është se asnjë shqiptar i Kosovës nuk ka menduar t'i ikë drejtësisë, e është fakt se më shumë janë ndjekur nga drejtësia serbë se sa shqiptarë. Asnjë gjykatë nuk mund të rishkruajë historinë apo të imponojë moral. Njerëzit dëshirojnë drejtësi dhe askush nuk do ta shfuqizojë atë gjykatë".

Ndërkohë nga ana tjetër ka reaguar edhe Beogradi zyrtar që u përfaqësua nga ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, i cili gjatë fjalimit të tij në OKB ka kritikuar krerët e shtetit të Kosovës, pasi sipas tij Beogradi ka kohë që po pret Prishtinën të kryejë detyrimet e marrëveshjeve të Brukselit.

"Serbia ende po pret me padurim që Prishtina të kryejë detyrimet për marrëveshjet e saj të arritura në Bruksel. Të gjitha çështjet duhet të zgjidhen me dialog, Serbia i ka përmbushur detyrimet e veta. Por, pas nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit, ne ende flasim për mos-zbatimin e saj nga ana e Prishtinës."

 Duke folur për vrasjen e Ivanoviçit, diplomati sernb e cilësoi si një akt terrorist që sipas tij rrezikon situatën në Kosovë dhe rajon. 

"Serbia dëshiron që të kontribuojë për një stabilitet në rajon dhe një marrëveshje historike me Kosovën, për të mos shkaktuar ndarje apo konflikte e mosmarrëveshje të reja. Serbia edhe njëherë kundërshton synimin e Kosovës për të ndërtuar ushtrinë e vet". 

Antonio Guteres për të cilin u mbajt dhe mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB është raportues i rregullt për Kosovën dhe në disa raporte të mëparshme të tij ka kritikuar ashpër Prishtinën zyrtare lidhur me tentativat e kësaj të fundit për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Ndryshe ky raport pasqyron punën e misionit të UNMIK-ut nga periudha e tetorit 2017, e deri në janar 2018.

/Ora News.tv/