Sëmundjet kronike që po “vrasin” shqiptarët

Sëmundjet kronike që po “vrasin” shqiptarët

Deri para viteve ’90, sëmundjet infektive ishin sfida kryesore e shëndetit publik, njëkohësisht edhe shkaku kryesor i vdekshmërive në vend. Gati dy dekada më pas, kjo sfidë për specialistët e shëndetësisë është quajtur e kaluar, për t’i lënë vendin problemeve të tjera shëndetësore si ato kardiovaskulare, që si kudo në botë, po shkaktojnë një numër të lartë vdekjesh për çdo vit.

Për shefin e shërbimit të Mjekësisë Interne dhe Hipertensionit në spitalin “Nënë Tereza”, Mihal Tase, sëmundjet i sollën vetë njerëzit, të cilët, me mënyrën moderne të të jetuarit modifikuan jetesën e shëndetshme.

Luftie Zyka, 76 vjeçe, prej vitesh vuan nga dy sëmundje kronike njëkohësisht, diabeti dhe hipertensioni. Një luhatje e fuqishme tensioni, e çoi para pak ditësh me urgjencë në spitalin “Nënë Tereza”, ku u shtrua në pavijonin e Mjekësisë Interne.

Hipertensioni

Sot, rreth 37 % e njerëzve që kanë marrë pjesë në kontrollin bazë mjekësor vuajnë nga hipertensioni, ku më të prekura janë femrat. Kësaj shifre i shtohet edhe një pjesë tjetër e popullatës, rreth 18%, që nuk e kanë ditur më herët se kanë hipertension, që do të thotë se ka një shkallë shumë të lartë të sëmundjes në popullatë, që fillimisht, njerëzit nuk e dinë, dhe pastaj nuk kanë as kujdesin e duhur për sëmundjen.Sipas të dhënave të zbuluara nga analizat e check-up, 35% e njerëzve e dinë që janë me hipertension, por nuk mjekohen siç duhet.

Jetëgjatësia

Për profesor Mihal Tasen, shtimi në dukje i sëmundshmërisë në popullatë lidhet më së pari me rritjen e jetëgjatësisë. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave (INSTAT), jetëgjatësia e pritshme në lindje në Shqipëri në vitin 2013 ishte 76 vjeç për meshkujt dhe 80 vjeçe për femrat.

Por, një faktor po kaq i rëndësishëm që ka ndikuar në rritjen e sëmundshmërive kronike përfshirë diabetin, obezitetin apo problemet e yndyrnave është edhe mënyra moderne e të jetuarit, ku po përdoren masivisht ushqimet e shpejta të fast-foodeve. Ky stil jetesë ka bërë që edhe të rinjtë të preken nga sëmundje të konsideruara të zakonshme për moshat e mëdha.

Yndyrat dhe diabeti

Shkaku kryesor prej nga zënë fill problemet shëndetësore për të shkuar më pas deri të sëmundjet kronike janë pikërisht yndyrnat. Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Nr.3 në Tiranë, Bruna Shiroka, thotë se nga të dhënat e zbuluara nga analizat e kontrollit bazë mjekësor, 65% e rasteve kanë rezultuar pikërisht me probleme me yndyrnat.  

Mjekja thotë se në vend po zbulohen sëmundje kronike te popullata në dukje e shëndetshme, siç është edhe diabeti.  Sipas të dhënave, 4% e popullsisë shqiptare rezulton diabetike pa e ditur, ndërkohë, 12,5% e personave që kanë bërë kontrollin, vlerësohen si paradiabetikë. Këto shifra flasin për një përhapje edhe më të madhe të sëmundjes, ku numri i mundshëm i popullatës diabetike është 150 000 persona, ndërkohë që te Fondi i Sigurimeve janë të regjistruar për të përfituar ilaçet me rimbursim 77.500 persona me diabet.

Për të shpëtuar shëndetin nga dëmtimi i sëmunjdeve përfshirë edhe kosot në rritje, mjekët bëjnë apel për vizita parandaluese. Sot, shpenzimet mesatare vjetore vetëm për barnat e rimbursueshme të të sëmurëve me diabet, janë rreth 30 mijë lekë në vit.

Kultura mjekësore

Stepja e qytetarëve për të shkuar te mjeku jo detyrishimit lidhet me mungesën e shërbimit shëndetësor. Jo vetëm në mes të Tiranës, por edhe në periferi të kryeqytetit ekzistojnë qendra shëndetësore për t’u ardhur në ndihmë banorëve. E tillë është Poliklinika e Specialiteteve në Paskuqan, që mbulon 220 mijë banorë. Drejtorja Meribane Keshi, thotë se përveç mungesës së mjekut kardiolog me kohë të plotë prej 2 vitesh, pranë kësaj qendre ofrohen të gjitha specialialitet e tjera mjekësore.

Ndërsa drejtori i Qendrës Shëndetësore të Paskuqanit, Gëzim Duro, thotë se problemet shëndetësore janë të ngjashme me zonën urbane edhe për banorët e zonave rurale. Në këtë qendër, ku nuk mungon as serumi i gjarprit apo tetanozi që vështirë se gjenden në spitalet e Tiranës ofrohen të gjithë shërbimet mjekësore sikurse edhe ndihma urgjente. Për rastet kur koha nuk pret ambulancën e minutat shpëtojnë jetë, pacientët transportohen privatisht drejt Tiranës edhe nga vetë personeli mjekësor.

Por të shkosh te mjeku është edhe pjesë e kulturës shëndetësore, që kohët e fundit duket sikur ka filluar të ndryshojë edhe në vendin tonë. Megjithë skepticizmin për bluzat e bardha, kur qytetarët kanë nevojë për ndihmë shpëtimi janë vetëm mjekët. Edhe vetë mjekët pranojnë se ndeshen edhe me pacientë që nuk besojnë te sistemi, sikurse ka edhe pacientë që lodhen me mjekimet dhe vendosin vet t’i ndërpresin ilaçet pa konsultë.

Vaksinimi

Vaksina e 1-vjetorit është një nga rastet më flagrante, ku mjaft prindër vendosin mos tia bëjnë fëmijëve, të bindur se ajo shkakton autizëm. Edhe pse kanë kaluar disa kohë nga ky diskutim, pediatria Natashi Ajazi pranë konsultorit të fëmijëve në Qendrën Shëndetësore nr.4 në Tiranë, thotë refuzimi vazhdon. Bluzat e bardha bëjnë apel që prindërit të kuptojnë se vaksinimi është i nevojshëm dhe nuk ka asnjë fakt të vërtetuar shkencërisht se vaksina shkakton autizëm.

Dilemën për vaksinën e vitit të parë të jetës, në disa raste prindërit e lidhin edhe me sigurinë e asaj që ofrohet në shtet, për këtë arsye ka prej atyre që zgjedhin ta blejnë privatisht. Por mjekët garantojnë se vaksina shtetërore është e sigurt dhe nuk duhet neglizhuar.

Mbi 80% e vdekjeve të ndodhrua gjatë vitit 2016 në vendin tonë sipas të dhënave nga INSTAT kanë qenë për shkaqe natyrale. Një vit më parë, në vend janë regjistruar mbi 21 mijë vdekje duke rezultuar me një normë vdekshmërie rreth 74 vdekje për 10.000 banorë. Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2017, rezultoi 2.88 milionë banorë, duke pësuar rritje për herë të parë që nga viti 2001.

 

EMISIONET