Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka deklasifikuar informacione që më parë kategorizoheshin si sekrete, duke zgjuar kureshtjen mbi dorëshkrimet dhe informacionet personale të Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos.

Ardit Bido: Interesi ka qenë maksimal nga studiues dhe gazetarë, të cilët kanë "shpërthyer" dyert e Arkivit në mënyrë që të shohin këtë pasuri të re publike.

Ditari i Enver Hoxhës përmban pasazhe interesante, në të cilat shkruan për mbledhjet dhe takimet që organizonte në qytete të ndryshme të vendit, teksa diskutonte për të mirën e Shqipërisë.

Në faqen 13 ai shkruan: "A luftohet për të siguruar fara të reja prodhuese, të mos mendojmë se gjetkë nuk ka fara të mira, bile shumë më të mira se këto që kemi ne".

Ndërkohë edhe dorëshkrimet e Hysni Kapos lidhen me situata të ndryshme, ndërsa në dosjen numër 10 fliste për problematikat e rrethit të Matit apo të heronjve që ende nuk kishin një bust.

Drejtuesi i Arkivës, Ardit Bido, për Ora News u shpreh se së shpejti nuk do të ketë më informacione sekrete për kohën dhe personazhet e komunizmit.

Ardit Bido: Këtë vit do të deklasifikohen dokumentat e vitit 1994, vitin pasardhës 1995, derisa të vijë çasti që të mbyllet terësisht një procedurë që për Arkivin është tranzitor, sepse nuk duhet të ketë dokumente sekrete.

Rreth 48 mijë dosje janë të aksesueshme për studiuesit, ndërsa 200 milion të tjera janë të dixhitalizuara për të krijuar lehtësi për të interesuarit.


/Ora News.tv/