Sekretariati i Komunitetit të Energjisë Elektrike ka kritikuar përsëri ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku. Në një reagim në faqen zyrtare theksohet se Shqipëria nuk ka zbatuar afatet për ndarjen e kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Pavarësisht votimit dhe ndryshimeve ligjore sekretariati thekson se ende procesi nuk është bërë efektiv.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë Elektrike ka ngritur si shqetësim ndarjen e kompanisë OSHEE. Kjo është kritika e dytë ndaj ministres Balluku brenda pak kohëve.

Në faqen zyrtare të Komunitetit të Sekretariatit të energjisë Elektrike thuhet se ka nisur procedurat për zgjidhjen e çështjes të hapur ndaj Shqipërisë në janar 2018 për shkak të vonesave në ndarjen e sistemit të shpërndarjes së energjisë.

OSHEE nisi ndarjen në vitin 2018 por Komuniteti i Energjisë konstaton se Shqipëria nuk kishte zbatuar siç duhet kërkesat për ndarjen e operatorit të sistemit të shpërndarjes dhe po kështu nuk ka zbatuar as kërkesat ligjore dhe funksionale të ndarjes së OSHEE. Aktualisht OSHEE është në fazën e regjistrimit në QKB ku rezulton se kompania e parë është Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe në objekt të kompanisë është shpërndarja e energjisë elektrike, dhe mirëmbajtja e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Kompania e dytë është Furnizuesi i Tregut të Lirë e cila do të ketë si detyrë sigurimin dhe menaxhimin e energjisë elektrike. Ndërsa kompania e tretë është Furnizuesi i Shërbimit Universal e cila do të ketë si detyrë furnizimin me energji elektrike të klientëve fundorë.

Vetëm pak kohë më parë Sekretariati i Komunitetit të Energjisë detyroi ministren Balluku të tërhiqet nga ideja e bashkimit të dy kompanive KESH dhe OSHEE.

/Ora News.tv/