Pas shumë ditësh lundrimi në detin Mesdhe, në pritje të një porti për të zbarkuar, 47 emigrantët në bordin e anijes humanitare Sea Watch mund të lejohen të zbresin në tokën italiane.

Ministri i Brendshëm dhe Zv/kryeministri italian Matteo Salvini në një komunikim zyrtar ka informuar se do të lejojë mbërritjen e 47 emigrantëve në tokën italiane por me kushtin që Hollanda, e cila i ka dhënë flamurin e lundrimit anijes Sea Watch ose Gjermania që është vendi përkatës i organizatës humanitare, e cila drejton anijen, të pranojnë marrjen e emigrantëve.

"Italia ka pranuar mjaft emigrantë, madje dhe tepër,"-komenton ministri Salvini.

Ndërkohë në brigjet e Sirakuzës ,në ujërat e së cilës është ankoruar prej ditësh anija Sea Watch, aktivistë të shoqërisë civile, qytetarë, së bashku me kryetarin e Bashkisë manifestojnë për të mirëpritur në qytetin e tyre 47 emigrantët klandestinë.

Mjeku në bordin e anijes ka informuar se kushtet higjienike dhe shëndetësore të emigrantëve në anije përkeqësohen dita ditës.  Së bashku me ekuipazhin janë 69 persona të cilët kanë në dispozicion vetëm një banje.

Ndër 47 emigrantë të kombësive të ndryshme, 15 janë minorenë në moshën 14-17 vjeçare.

Gjatë ditëve të fundit disa parlamentarë italianë kanë vizituar nga afër gjendjen e emigrantëve në anije. Emigrantët rrëfejnë se janë torturuar e burgosur në Libi para se të niseshin me anije drejt Evropës.

/Ora News.tv/