"Kandidoj për kryeministër " ka deklaruar gjatë ditës së sotme, zëvendës kryeministri italian Matteo Salvini, i cili si lider i Partisë Lidhja ka dorëzuar në parlamentin Italian një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Giuseppe Conte.

"I kërkojmë italianëve forcën ta marrim në dorë këtë vend e ta shpëtojmë. I kërkoj italianëve të më japin fuqinë e plotë për të realizuar gjëra si duhen bërë në këtë vend", është shprehur ai, një ditë pas komunikimit zyrtar se Partia Lidhja nuk pranon më të qeverisë me aleatin 5 Yje.

Pas deklaratës së Salvinit, kryetarja e Dhomës së Senatit italian Anna Maria Casellati, ka komunikuar se ka thirrur ditën e hënë 12 gusht  një konferencë me kryetarët e grupeve parlamentare ku do të vendoset se kur do të mblidhet parlamenti për të votëbesuar kryeministrin Conte.

Edhe gjatë ditës së sotme zëvendëskryeministri Salvini nuk ka kursyer  akuzat e tij politike duke paralajmëruar se nuk pranon asnjë lojë të fshehtë politike e as një qeveri koalicioni mes 5 Yjeve e Partisë Demokratike, që është një tallje me italianët dhe e papranueshme për demokracinë.

Salvini ka informuar gjithashtu se senatorët e Lidhjes prej ditës së hënë 12 gusht do të jenë çdo ditë në Parlament.

/Ora News.tv/