Rusia ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se nisja e sulmeve ajrore në përgjigje të një sulmi të dyshuar kimik në Siri, mund të ndezë një luftë mes dy vendeve.

“Prioriteti i tanishëm është shmangia e rrezikut të luftës,” u shpreh ambasadori i Moskës në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzia. Ai akuzoi Uashingtonin se po vendos në rrezik paqen ndërkombëtare, por shtoi se Rusia nuk mund të përjashtojë asnjë mundësi veprimi. Për ambasadorin, ka një “rrezik të shtuar të përshkallëzimit të situatës” për shkak të pranisë ushtarake ruse në Siri.

Fuqitë perëndimore mendohet se po përgatiten për të sulmuar Sirinë nga ajri, por Rusia, aleate e vendit të përçarë nga lufta, këmbëngul në shmangien e një përgjigjeje të tillë. Shtëpia e Bardhë është ende duke vlerësuar të dhënat lidhur me situatën, ndërkohë që mban kontakte të vazhdueshme me aleatët për aksionin e përbashkët në ndëshkim të sulmit të dyshuar kimik të fundjavës së kaluar në qytetin e Doumas. Sakaq, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike deklaroi se ekspertët e saj po udhëtojnë drejt Sirisë për të nisur hetimin zyrtar për ngjarjen, ditën e shtunë.

Kujtojmë se ky nuk është rasti i parë i dyshuar i një sulmi kimik në Siri. Një vit më parë, Shtetet e Bashkuara nisën një fushatë hakmarrëse ndaj një sulmi që mendohet të ketë ndodhur në qytetin e Khan Sheikhoun.

/Ora News.tv/