Ruçi: Prezenca e opozitës e bën parlamentin më të vështirë, por më produktiv

Ruçi: Prezenca e opozitës e bën parlamentin më të

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi në nisje të sesionit të ri parlamentar ka kërkuar nga opozita që të marrë pjesë në debatet parlamentare.

Në fjalën e tij, Ruçi u shpreh se prezenca e opozitës e bën sesionin parlamentar më të vështirë, por më produktiv.

Ruçi: Unë dëshiroj sinqerisht që debati i munguar i sesionit që kaloi të kompensohet në këtë sesion. Legjitimiteti e përfshirja dhe jo komoditeti, përjashtimi apo vetëpërjashtimi e bëjnë një parlament funksional. Prezenca e opozitës e bën sesionin parlamentar më të vështirë, por më produktiv; më konfliktual, por më demokratik; më të trazuar, por më të dobishëm.

Ruçi foli edhe për protestat e studentëve, për të cilët tha se inkurajon qeverinë të plotësojë detyrimet ligjore, financiare e njerëzore ndaj studentëve, arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Ruçi: Në mbyllje të sesionit të kaluar, vendi përjetoi një valë protestash të studentëve. Kërkesat e tyre janë një oportunitet edhe për Kuvendin. Ne po nxisim e inkurajojmë qeverinë të plotësojë detyrimet ligjore, financiare e njerëzore ndaj studentëve, arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Të harmonizojë në mënyrë më produktive format inovative të bashkëqeverisjes me efiçencën dhe rezultatet. Integriteti i qeverisjes lidhet edhe me qëndrimin aktiv dhe mirëqenien e qytetarëve.

EMISIONET