Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi shtroi një darkë për pjesmarrësit në Mëngjesin e Lutjeve për Europën Juglindore. 

Ruçi tha se mëngjesi i lutjeve është shembulli më i mirë që tregon se kundërshtarët politikë bëhen bashkë për të mirën e qytetarëve.

Ruçi: Nuk ka model më të mirë sesa organizimi i Mëngjesit të Lutjeve, për të treguar se kundërshtarët politikë janë edhe partnerë e bashkëpunëtorë për të mirën e njerëzve. Ne e dimë që Demokratët dhe Republikanët amerikanë kanë alternativa të ndryshme zhvillimi për demokracinë më të madhe, më të fuqishme e më rrezatuese të botës. Por Mëngjesi i Lutjeve bashkon senatorët dhe përfaqësuesit e të gjithë shteteve amerikane, pavarësisht ngjyrave politike.

Me këtë rast Ruçi shtoi se politikanët e rajonit kanë detyrimin tën heqin dorë nga kapërdisja ballkanike për tu vendosur në shërbim të njerëzve.

Ruçi: Për të bërë sa më mirë detyrën ndaj popujve e qytetarëve, t’i largojmë sytë nga vetvetja, krenaria e sëmurë, kapardisja ballkanase dhe komoditeti individual.Të kujdesemi për të varfërit e të pashpresët më shumë sesa për pushtetin, influencën dhe pasurinë.Për të arritur këto qëllime fisnike, ne duhet të bëhemi deputetë të mençur, të duruar e të përmbajtur.Ne të gjithë duhet tu përkushtohemi tërësisht detyrave tona legjislative, qeverisëse e qytetare sepse kështu shtojmë bukurinë dhe mirësinë e shpirtit njerëzor të qytetarëve, të cilëve u shërbejmë.Zoti na ka dhënë jetë e frymë për të bërë mirë dhe ne duhet të punojmë që mirësia njerëzore të bëhet realitet.

Kreu i Kuvendit  tha se pavarësisht nga dallimet historike vendet e rajonit duhet të shohin nga një e ardhme e përbashkët.

Ruçi: Edhe pse fati na ka lindur në toka të bekuara, por historia nuk na ka përkëdhelur.Ky është rajoni ynë dhe këta jemi ne.Prandaj, prej këtij kremtimi ne të gjithë duhet të nxjerrim mësime të vyera.Mirëqenia e secilit prej vendeve tona nuk është e mundur pa mirëqenien e të tjerëve rreth nesh.

Në pritje merrin pjesë drejtues e përfaqësues të lartë të parlamenteve e qeverive, përfaqësues të shquar të botës intelektuale dhe komuniteteve të biznesit nga vendet e Europës Juglindore, ShBA, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Zvicra, Gjeorgjia, Jordania etj. si edhe ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Ishte i pranishëm edhe z. Peter Morocco, Zëvëndës Asistent Sekretar në Departamentin e Shtetit.

 

/Ora News.tv/