Grabitja në Rinas, pronari i servisit ku u modifikua makina: E kisha dhënë me qira

Grabitja në Rinas, pronari i servisit ku u modifikua makina: E kisha

Pronari i servisit ku dyshohet se është modifikuar furgoni i përdorur nga grabitësit e miliona eurove në Rinas, ka thënë për RTV Ora se objektin e ka dhënë me qira prej dy vitesh. Ai mohoi të kishte dijeni në lidhje me furgonin me mbishkrimin hetimi tatimor që u përdor në ngjarjen e 9 prillit në aeroport. Ndërkohë policia gjatë kontrolleve ka gjetur prova të rëndësishme në një vilë pranë servisit e cila mendohet se ka qenë baza e grupit që kreu grabitjen në Rinas.

Kamera e RTV Ora ka qenë në servisin ku dyshohet se makina që u përdor për grabitjen në Rinas, u modifikua me mbishkrimin "Hetimi Tatimor".

Pika e riparimit të automjeteve ndodhet në një rrugë dytësore që lidhet me qendrën e Elbasanit. Modifikimi i furgonit që përdorën autorët e grabitjes në Rinas, është bërë në një ambient të hapur e të dukshëm nga rruga, ku lëvizjet e qytetarëve janë të shumtë.

Pronari i objektit të dhënë me qira tha për RTV Ora se biznesi shfrytëzohej nga persona të tjerë prej dy vitesh, kundrejt pagesës mujore. Ai tha se nuk ka lidhje apo dijeni me modifikimet e furgonit të përdorur në grabitjen e Rinasit.

Në zonën pranë servisit ndodhet dhe banesa që dyshohet se ka shërbyer si baza e grupit, nga të cilët 4 prej tyre tashmë janë arrestuar. Gjatë kontrollit në këtë vilë, që dyshohet se i përket Saimir Çelës, policia tha se hetuesit gjetën pajisje elektronike dhe prova të tjera që do të ndihmojnë më tej zbardhjen e ngjarjes. 

Pika e riparimit të mjeteve por edhe banesa private monitoroheshin me kamera sigurie, pamjet e të cilave kanë ndihmuar hetuesit për të zbardhur ngjarjen me itinerarin e lëvizjes së furgonit të modifikuar.

Edhe pse Policia nuk ka dhënë detaje konkrete për rolin e katër të arrestuarve, akuza e ngritur ndaj tyre për "Vrasje e Punonjësve të Policisë, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, duket se lidhet me shkëmbimin e zjarrit që mes policisë dhe grabitësve jashtë aeroportit të Rinasit më 9 prill.




EMISIONET