Një ndër projektet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore Thumanë-Kashar ka mbetur në harresë. E njëjta situatë është edhe për kalimin e fondit në rehabilitimin e Kampusit Universitar. Edhe pse kanë kaluar rreth 2 muaj nga anulimi i tenderit, ministrja Belinda Balluku nuk ka dhënë asnjë informacion për veprimet e mëtejshme apo për paratë që premtoi se do kalonin për studentët. Madje ajo është shfaqur e paqartë edhe për shifrat e shkruara për investimet për rikonstruksionin e konvikteve.

"Kam vendosur ndërprerjen e procedurës së Partneritetit Publik Privat për aksin Thumanë-Kashar. Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti qeveria do ta dedikojë në funksion të angazhimeve për Paktin e Universitetit" deklaroi Ministrja Balluku më 21 janar 2019.

Ky ishte një ndër vendimet e saj të para pas marrjes së detyrës si Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë por tashmë që kanë kaluar rreth dy muaj nuk dihet ende asgjë për fatin e këtij projekti të rëndësishëm.

Ministrja në atë kohë premtoi se  ky segment do të ndërtohet dhe parashikohet të përfshihet në projektin për zgjerimin Tiranë-Durrës. 

Procedura e aksit Thumanë-Kashar ishte në fazën finale të kalimit në qeveri dhe do të niste menjëherë puna me fondet e subjektit privat. 

Për ndërtimin e kësaj rruge ishte parashikuar një fond prej 245 milionë eurosh, i cili pas anulimit do ti kalonte Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë për Kampusin Universitar si dhe për rregullime të tjera në jetën universitare dhe infrastrukturë. 

Por edhe ky premtim i rradhës i ministres Balluku ka mbetur në ajër dhe në buxhet nuk ndryshoi asnjë shifër. 

Madje edhe gjatë fjalës së mbajtur në parlament në lidhje me fondet e dhëna nga Banka Gjermane për Zhvillim për rikonstruksionin e konvikteve, ministrja Belinda Balluku ka qenë e paqartë me shifrat.

Balluku: Kostot e rehabilitimit për projektin e deri 9 godinave të konvikteve të Universitetit të Tiranës me efiçensë energjitike vlerësohet në shumë totale e 11 milion euro, përfshirë dhe TVSH-në, të cilat do të mbulohen nga  KfW si grante. Shuma totale 9.46 milion dhe e të tre fazave rreth 2.9 milion euro nëpërmjet marrëveshjes aktuale qeveritare.

Aksi rrugor Thumanë-Kashar do të ndërtohej si pjesë e paketës “One Billion”.

Rruga ka një gjatësi 20.8 km, fillon në Thumanë të Krujës dhe vazhdon deri në autostradën Tiranë-Durrës, me një kryqëzim të ri.

Në projekt parashikohej që që autostrada të ndërtohej me katër korsi, si dhe ndërtimin e 12 urave.

/Ora News.tv/