Bashkia e Tiranës ka rehabilituar të gjithë zonën që kufizohet nga Rr. “Konferenca e Pezës” – “3 Dëshmorët” dhe Rr. “Ali Jegeni”, në Njësinë 6, duke rikonstruktuar gjithsej 22 rrugë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti, inspektuan përfundimin e punimeve që kanë sjellë përmirësimin e cilësisë së jetës së 25 mijë banorët e lagjes së re pranë ish-Kombinatit “Misto Mame”.

Gjithashtu pritet që të ndërtohet dhe një kopsht dhe një çerdhe e re si dhe do vijojë puna edhe për ndërtimin e një shkolle të re në zonën e Astirit. Veliaj siguroi qytetarët se puna do të vijojë edhe në Unazë.

 “Po përgatisim kopshtin dhe çerdhen e re në Kombinat, pastaj do të fillojmë shkollën e re tek zona e ‘Astirit’. Nuk ka asnjë dyshim që do të bëhet autostrada e ‘Astirit’ dhe nuk ka asnjë dyshim që ajo autostradë do t’i nxjerrë të gjithë fitues. Disa do t’i nxjerrë fitues, duke u shpronësuar dhe duke i marrë paratë ‘kesh’ në dorë, disa do t’i nxjerrë fitues, duke qenë në kufi të asaj prone do të ketë zhvillime dhe secili do të marrë përqindjen e tij të zhvillimit”, tha Veliaj.

Veliaj shtoi se puna do të vijojë gjatë gjithë verës, në mënyrë që qytetarët, kur të kthehen nga pushimet, të gjejnë një infrastrukturë më të mirë.

/Ora News.tv/