Vdekshmëria foshnjore në vendin tonë ka shënuar rritje. Në vitin 2018 janë regjistruar 9 vdekje të foshnjave për 1000 lindje të gjalla, ndërsa mjekët apelojnë për një kujdes më të shtuar gjatë shtatzanisë.

Shqipëria ka shënuar rritje në vdekshmërinë foshnjore apo perinatale.  Gjatë vitit të kaluar, rreth 9 foshnja vdiqën në 1000 lindje të gjalla, ndërsa në vitin 2017 kanë humbur jetën 8 foshnja për 1000 lindje.

Faktorët e këtij fenomeni lidhen sa me sëmundjet që shfaqen në periudhën e rreth lindjes e po ashtu me ndërlikim gjatë shtatzanisë dhe pas saj, ndërsa mjekët gjinekologë apelojnë për një kujdes më të shtuar të vetë pacientëve.

Maks Gjoni: Pacientët janë faktor shumë i rëndësishëm. Është shërbimi mjekësor njerëzor, mjetet që kemi në dispozicion dhe pacientët. Nëse pacientët rritin nga viti në vit vëmendjen ndaj shtatzanisë, kuptojnë se çfarë janë shenjat e para gjatë barrës dhe cilat janë sinjalet e para të një alarmi, natyrisht që ne do tu jemi më afër, do të ushtrojmë më shumë vëmendje dhe mundet që rezultati të jetë më i mirë.

INSTAT raportoi se gjatë vitit 2018 numri i bebeve të lindura ishte 6 % më e i ulët se një vit më parë. Ky fenomen sipas mjekut, Maks Gjoni, ka nisur që prej viteve '90.

Maks Gjoni: Nga rreth 70-80 mijë që kemi pasur para '90, tani jemi në rangun e 35 mijë lindjeve në vit. Dy faktorët kryesorë janë numri më pak i fëmijëve për një çift dhe së dyti emigrimi i popullësisë në moshë riprodhimi.

Sipas Eurostat, Shqipëria ka normën më të ulët të lindjeve në rajon, pas Maqedonisë së Veriut, duke lenë pas edhe Serbinë.

/Ora News.tv/