Shtohen pikëpyetjet sa i përket të ardhmes së Gianluigi Donnarumma.

Me Milanin që rrezikon një përjashtim nga grupet e Europa League për shkak të Fair Play Financiar, drejtuesit janë të gatshëm të sakrifikojnë yjet e ekipit dhe 19 vjeçari mund të jetë ai që duhet të largohet.

Siç bën me dije gazeta torineze "Tuttosport" agjenti i talentit, Mino Raiola ka nisur punën për t'i gjetur strehë të re për të.

Duke iu referuar po kësaj të përditshme, Liverpool është shumë e interesuar për shërbimet e tij. Milan dëshironte 60-70 milion euro për të lënë të lirë talentin, ndërkohë që Liverpool është e gatshme të paguaj plot 40 milionë euro për të arritur një marrëveshje.

Portieri 19-vjeçar nuk po kalon një situatë të qetë tek kuqezijtë, duke parë dhe gabimet e bëra në ndeshjet e fundit dhe pakënaqësinë e shfaqur nga tifozët e "Djallit" kundrejt tij.

Megjithatë, kjo nuk e ka ndalur Donnarumma-n që të jetë pasuesi ideal i Gigi Buffon tek kombëtarja italiane, duke parë dhe pensionimin e këtij të fundit nga skuadra "Azurre".



/Ora News.tv/