Ngjitja në elitën e futbollit shqiptar ishte objektivi konkret i skuadrës së Tomorit në fillim të sezonit, por duket se gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç duket.

Kur kanë mbetur edhe 3 javë nga fundi i kampionatit, ekipi beratas numëron 10 pikë, aq sa Turbina e vendit të fundit, duke rrezikuar jo pak zbritjen një kategori më poshtë. E për këtë fakt, tifozët kanë nisur "rrjedhjen" nga shkallët e stadiumit, diçka që për drejtuesit është e gabuar.

Kështu, përmes një statusi në rrjetin social "Facebook", ekipi i Tomorit ka kërkuar rikthimin e tifozëve në shkallët e stadiumit, pasi sipas tyre prezenca e tyre do të sillte kalim të ngërçit psikologjik që ka përfshirë skuadrën.

Njoftimi:

Të dashur qytetar beratas, tifozë, sportdashës dhe ndjekës të Tomorit, duke parë rezultatet negative të skuadrës tonë të përbashkët, vrehim një distancim tuajin karshi klubit dhe lojtarëve:

Na vjen keq që kemi krijuar këtë frymë mosbesimi, por duke kërkuar ndjesë për rezultatet zhgënjyese të javëve të fundit, kërkojmë mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj në këto momente të vështira.

Futbollistët tanë janë KAMPION! Ata kërkojnë vetëm mbështetje, mbështetje dhe mbështetje për të kaluar këtë "ngërç" psikologjik. Drejtuesit dhe stafi teknik është me lojtarët dhe mbështet vetëm lojtarët. Ata gëzojnë simpatinë tonë dhe ne jemi të bindur se do t'a kalojmë këtë situatë të keqe. Të bëhemi së bashku dhe duke mbështetur njëri-tjetrin do të shpëtojmë Tomorin nga zona e rrezikut.

Le të harrojmë gjithçka për një moment dhe të mos i çojmë nëpër mend rezultatet negative. Bëhuni bashk në mbështetje të lojtarëve.

#ForcaTomori, #MbështesimLojtarët"-mbyllet thirrja e klubit, Tomori. 

/Ora News.tv/