Rojet bregdetare, vendimi i qeverisë nuk po gjen zbatim në Durrës

Rojet bregdetare, vendimi i qeverisë nuk po gjen zbatim në Durrës

Vendimi i Këshillit të Ministrave për sigurinë në plazhe nuk po gjen zbatim në Durrës. Në 3.5 kilometra gjatësi të vijës bregdetare nga Ura e Dajlanit deri në Plepa, i konsideruar plazhi tradicional mungojnë rojet bregdetare.

Në këtë gjatësi të plazhit duhet të ishin ngritur 18 kulla vrojtimi me 200 metra distancë njëra nga tjera, por një vëzhgim i Ora News tregon se fakt janë ngritur vetëm tre apo katër të tilla.

Aty ku kullat janë ngritur, nuk gjen vrojtues por fëmijë që luajnë.

Për pushuesit kjo do të thotë pasiguri, sidomos për më të vegjlit.

Mungesën e sigurisë në plazhe e pranon edhe prefekti i Qarkut Durrës, Roland Nasto, njëherësh edhe drejtues i task-forcës për turizmin.

Ai thotë se kontrollet kanë evidentuar mungesë të rojeve bregdetare dhe pikave të tjera të 10 kushteteve të sigurisë në plazhe.

Roland Nasto: Në bashkëpunim me bashkinë dhe policinë bashkiake po marrim masa për të përmirësuar gjendjen dhe për të kaluar në ato kushte që duhet të kenë pushuesit në plazhe.

Mungesa e rojeve të sigurisë pranohet nga kryetari i Shoqatës së Hoteleri Turizmit, Eduart Xhepa, çështje që sipas tij kërkon impenjimin privatëve dhe shtetit për zgjidhje.

Eduart Xhepa: Kjo është një gjë shumë delikate dhe kërkon impenjim dhe nga operatorët turistik dhe nga shteti.

Katër persona kanë humbur jetën gjatë këtij sezoni turistik në Durrës, ndërsa disa të tjerë kanë rrezikuar të mbyten në ngjarje që lidhen edhe me mungesën e rojeve bregdetare.

Pak ditë më parë, Ministri i Turizmit u kërkoi kryebashkiakëve të marrin masa për sigurinë në plazhe, ndërsa Ora News ka mësuar se task-forca e bashkisë së Durrësit do të zbresë në terren më 20 korrik, për ti hequr lejën subjekteve që nuk kanë plotësuar standardet.





EMISIONET