Vetëm një ditë pas ngritjes së shqetësimit nga FMN në lidhje me detyrimet e prapambetura që shteti ka ndaj biznesit ka reaguar kreu i Përgjithshëm i Tatimeve. Sipas administratës tatimore, stoku i detyrimeve të akumuluara nga vonesat e rimbursimit të TVSH-së deri në fund të prillit rezulton të jetë 14.9 mld lekë. Sipas Drejtorit të Tatimeve tashmë ka nisur një skemë e cila synon të zerojë këtë borxh.

Administrata tatimore ka reaguar menjëherë pas kritikave të bëra nga FMN në lidhje me rimbursimin e TVSH-së.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, stoku i detyrimeve deri në fund të prillit rezulton të jetë 14.9 mld lekë, ndërsa është vënë në zbatim një skemë për zerimin e tyre brenda tre muajve.

10 mld lekë rezultojnë të jenë detyrime ndaj TAP dhe kompanive të tjera të mëdha ndërsa detyrimi ndaj tatimpaguesve eksportues, fason, grumbullues rezulton 4.9 mld.

Enton Duro: Në total fondi vjetor krahasuar me vitin 2018 është rreth 32% më i lartë, kështu që ne presim që situata në rimbursimin e TVSH-së të jetë në përmirësim të vazhdueshëm.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve deklaroi ndër të tjera se shlyerja e detyrimeve do të bëhet në bazë të vjetërsisë.

Enton Duro: Janë grupet e fasonit, të eksportuesve dhe grumbulluesve që kanë një prioritet për specifikat që kanë. Preken nga kursi i këmbimit por kanë edhe efekt të madh në rimbursim.

Më herët nga selia blu, ish-deputetja Jorida Tabaku akuzoi qeverinë se me PPP-të po favorizon një grusht njerëzish.

Jorida Tabaku: Diagnoza që FMN ka për ekonominë shqiptare është se ajo vuan nga sëmundja e rrezikshme: është një ekonomi që pasuron një grusht njerëzish pranë pushtetit, që punon për pakicën dhe jo për shumicën.

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar i kërkoi qeverisë që të reagojë dhe të shlyejë sa më parë detyrimet e prapambetura pasi cënojnë klimën e biznesit dhe besimin në qeveri.

/Ora News.tv/