Programi bërthamor i Iranit mund të kthehet sërish në një shqetësim për komunitetin ndërkombëtar pas mosmarrëveshjeve të fundit midis Teheranit dhe fuqive botërore. Javën e ardhshme, me kërkesën e ShBA-së është thirrur një mbledhje e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore. Irani thotë se do ta kalojë kufizimin e pasurimit të uraniumit.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore do të mbajë një mbledhje të posaçme javën e ardhshme, mbi programin bërthamor të Iranit.

Kjo mbledhje u thirr me kërkesën e Shteteve të Bashkuara, pasi Teherani tha se ka shkelur disa prej pikave të marrëveshjes bërthamore.

Një zëdhënës i kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara tha se takimi i bordit të guvernatorëve do të mbahet më 10 korrik në Vjenë të Austrisë.

Ky takim vjen në kohën e rritjes së tensioneve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Presidenti, Donald Trump, në maj të vitit të kaluar u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e arritur ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive botërore.

Dokumenti kishte për qëllim frenimin e programit bërthamor të Teheranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike.

Por ShBA-ja i ka rivendosur sanksionet ekonomike. Tensionet u rritën edhe pas sekuestrimit të një anijeje cisternë nga Britania që dyshohej se po transportonte naftë në Siri, në shkelje të sanksioneve ndërkombëtare.

Presidenti iranian, Hassan Rohani, ka njoftuar tejkalimin e kufizimeve për pasurim e uraniumit.

Duke filluar nga 7 korriku, Teherani thotë se është gati të kalojë limitin për pasurimin e uraniumit të vendosur nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

Britania, Franca dhe Gjermania, që po ashtu kanë nënshkruar marrëveshjen e vitit 2015, i kanë bërë thirrje Iranit që t’i përmbahet marrëveshjes bërthamore dhe i kanë premtuar ndihmë Teheranit, për të tejkaluar vështirësitë ekonomike, pas rivendosjes së sanksioneve nga SHBA-ja.

Ndërkaq, Rusia dhe Kina, që po ashtu janë nënshkrues të kësaj marrëveshjeje, i kanë bërë thirrje Iranit që ta respektojë këtë pakt, pavarësisht tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja.


/Ora News.tv/