Ka zgjatur vetëm 6 orë mbyllja e qeverisë amerikane, teksa Kongresi votoi pro një marrëveshjeje dy-vjeçare për buxhetin, që tashmë pret firmën e presidentit Donald Trump. Senatori republikan Rand Paul pengoi më herët votimin mbi buxhetin e shpenzimeve dhe detyroi Kongresin të humbiste afatin e mesnatës për aprovimin e strukturës së re federale të financimit. Senatori argumentoi se masa e propozuar do të thellonte deficitin e Shteteve të Bashkuara.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi projekt-ligjin me 240 vota pro e 186 kundër, ndërkohë që Senati e kishte aprovuar më parë me 71 vota pro e 28 kundër. Folësi i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan e cilësoi projekt-ligjin si një “fitore të madhe për burrat dhe gratë në uniforma” pasi plani parashikon një rritje të shpenzimeve me rreth 300 miliardë dollarë për shërbimet e mbrojtjes dhe ato të brendshme.

Kjo ishte hera e dytë që qeveria amerikane është detyruar të mbyllet gjatë 2018. E njëjta situatë u krijua edhe në janar, kur Senati nuk gjeti akordin për të miratuar buxhetin, mes kërkesave të demokratëve për një marrëveshje për mbrojtjen e emigrantëve të ashtuquajtur “ëndërrimtarë”. Tre ditë më vonë, demokratët lanë mënjanë kundërshtitë e tyre, duke lejuar Kongresin të miratonte projekt-ligjin e përkohshëm të shpenzimeve më 23 janar.

/Ora News.tv/