Reshje intensive dëbore në juglindje, Dardha e Qafë Qarri të kalueshme me zinxhirë

Reshje intensive dëbore në juglindje, Dardha e Qafë Qarri të

Ngricat që pasuan reshjet e dëborës të nisura pasditen e së hënës në qarqet verilindore të vendit kanë shkaktuar vështirësi në zonat malorë.

Në qarkun e Dibrës, disa fshatra rezultojnë të bllokuara, ndërsa trashësia e dëborës arrin deri në 50 cm në Lurë e Kalanë e Dodës, sikurse në Trebisht e Ostren në Bulqizë.

Por të gjitha rrugët kombëtare raportohen të hapura.

Në Rrugën Korçë –Dardhë dëbora arrin 25 cm trashësi dhe policia u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të lëvizin vetëm me zinxhirë.

Ndërkaq policia rrugore është pozicionuar në akset problematike duke mos lejuar automjetet të lëvizin pa zinxhirë.

Patrullat janë vendosur në aksin Korçë-Dardhë ku edhe fluksi i qytetarëve është më i lartë. Po ashtu edhe aksi Korçë-Qafë e Qarrit.

Disa fshatra të qarkut juglindor vuajnë mungesën e energjisë.

Në qarkun e Shkodrës, zona turistike e Thethit është e bllokuar në Bogë.

38 mjete e 64 punëtorë janë vënë në dispozicion të rrugëve në Kukës për shkak të borës.

Trashësia e dëborës në Kukës arrin 5 cm, në Krumë 7 cm dhe në Bajram Curri 10 cm.

Rruga e Kombit qarkullohet pa zinxhirë dhe në dispozicion të saj 13 borëpastruese e 2 fadroma për heqjen e dëborës.

Sipas parashikimeve, reshjet e dëborës do të vijojnë edhe gjatë ditës së martë në zonat malore dhe kodrinore.

Ndaj Policia dhe ARRSH rekomandojnë drejtuesit e mjeteve që të tregohen të kujdesshëm për shkak të lagështirës në rruge veçanërisht në orët e mbrëmjes kur mund të krijohen ngrica.


EMISIONET