Rendi dhe siguria, Vasili: Qeverisë i ka ikur situata nga duart, reforma në drejtësi ka vdekur

Rendi dhe siguria, Vasili: Qeverisë i ka ikur situata nga duart, reforma

Petrit Vasili thotë se qeverisë Rama i ka dalë nga duart situata e rendit dhe sigurisë.

I ftuar në intervistën e mbrëmjes në Ora News, Vasili thotë se e gjithë kjo është pasojë e inkriminimit të strukturave shtetërore dhe trafiqeve.

Vasili: Rendi dhe siguria në vend kanë qenë tronditur prej kohësh dhe faktet e njëpasnjëshme tragjike për fat të keq provojnë se kjo situatë sa vjen e rëndohet. Kjo qeveri nuk mundet më të kontrollojë situatën e rendit në Shqipëri dhe kjo situatë ka dalë nga duart. Deklarimet janë kaq cinike dhe të pashpirta.Dëgjuam Ministrin sot që thoshte situata e rendit është në rregull, nuk kemi pasur vrasje. Harron ngjarjen e tmerrshme të Selenicës, vrasje të vazhdueshme që ndodhin. Situatën e rendit dhe krimit në Shqipëri kush e kontrollon?Do ja kërkojnë dhe këtë opozitës?Se këta janë të marrosur. Situata u ka ikur nga duart nga inkriminimi i thellë dhe situata e trafiqeve.

Ekonomia duket se do të jetë kryefjala e opozitës në këtë sezon të ri politik.

Vasili: Jemi të detyruar të përgatitemi për një betejë politike pa kompromis.Shqiptarëve po u vete thika në palcë, meqë jemi në vigjilje të mbylljes së sezonit veror, mbi 65-70% të shqiptarëve nuk mundën t'i lejonin vetes të kalonin pushimet. 70% e tyre nuk kishin mundësi të rregullonin as dhëmbët se janë të varfër. Ekonomia e rrënuar dhe krim që bën festë është një vend në krizë.

Por jashtë vëmendjes nuk mbetet  dhe mbrojtja e pasurive publike, reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore.

Vasili: Teatri është një grabitje e madhe publike, Tirana është shndërruar në një geto betoni, e ka humbur identitetin e saj. Është bërë qytet i pajetueshëm përfundimisht. Prona publike që është një çështje shumë e madhe, reforma në drejtësi është në pikën më të ulët dhe kërkon një ulje të madhe në tavolinë për të shpëtuar reformën në drejtësi. Vettingun po e konteston ONM, vendimet janë marrë me dy standarde. Kemi dhe reformën zgjedhore, një pyetje pa përgjigje.

I pyetur nëse LSI po e konsideron për këtë sesion të ri parlamentar ftesën e mazhorancës për ligjin e Magjistraturës, Vasili thotë se reforma në drejtësi ka vdekur dhe nevojiten diskutime urgjente mes palëve.

Vasili: Ne na ka humbur demi në reformën në drejtësi dhe kërkojmë brirët.Sistemit të drejtësisë i është prerë koka. Këta thonë nuk kemi shkollë të Magjistraturës. Reforma në drejtësi po vdes, hajt ta shpëtojmë këtë investim. Nuk mund të degradojë një reformë e votuar me 140 vota me votimin me 69 vota siç u votua për turpin e tyre prokurorja e përgjthshme.Kishin të drejtë që e zgjodhën pasi tërë këto skandale që kanë nëpër këmbë duhej një prokurore shurdhmemece e cila vetëm rekomandon si OSBE-ODIHR që të bëhen hetime transparente kur arrin dhuna ku viktimë bien edhe kolege tuaja si Klodiana Lala. Reforma degradoi moralisht, humbi besimin e publikut. Sondazhet më të fundit thonë se besimi i njerëzve nga 90 e ca% nuk shkon as 30%.

EMISIONET