Kryebashkiaku i Londrës Sadik Kan ka njoftuar ditën pa makina, si një nga masat për reduktimin e ajrit të ndotur në nivele alarmante. Më 22 shtator do të bllokohen 20 kilometra rrugë, ndërsa londinezët do t’i bashkohen aktiviteve të organizuar nga bashkia.

Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadik Khan, ka prezantuar planin për reduktimin e ndotjes së ajrit, duke njoftuar ditën pa makina më 22 shtator. Bashkia ka vendosur bllokimin për automjetet të 20 kilometrave rrugë në qendër të kryeqytetit në muajin shtator, pasi sipas një raporti të fundit, më shumë se 50% e ndotjes toksike të Londrës është shkaktuar nga automjetet.

Akset që do të mbyllen janë rreth Urës së Londrës, Kullës së Urës dhe një pjesë e mirë e rrugëve të kryeqytetit, për të reduktuar sasinë e ndotjes së ajrit që vret çdo vit 2 milionë njerëz, përfshirë këtu 400 mijë fëmijë.

Khan tha se dita do të ofrojë mundësi që njerëzit të lënë makinat e tyre dhe të eksplorojnë rrugët në këmbë ose me biçikletë.
“Unë inkurajoj londinezët sa më shumë që të jetë e mundur, të bashkohen në këtë nismë argëtuese për të parë qytetin nga një këndvështrim tjetër", tha Khan.

Kjo është hera e parë që një kryebashkiak merr një vendim të tillë. Në ditën pa makina janë planifikuar qindra aktivitete që do të zhvillohen përgjatë rrugëve të mbyllura në qendër të Londrës. Mendohet  se më shumë se 150,000 londinezë do të bashkohen në këtë nismë.

 

/Ora News.tv/