Reali i Madridit është i pamëshirëshëm. Galaktikët kanë fituar edhe ndeshjen e dytë ndaj skuadrës së Shalkes por këtë herë në shifra më pak të ekzagjeruara 3-1. Sërish protagonist i ndeshjes është padyshim portugezi Kristiano Ronaldo, i cili ka arritur të shënojë dy gola dhe të barazojë legjendën Pushkash. Madrilenët janë kualifikuar me rezultatin e përgjithshëm 9-2 dhe tashmë presin me qetësi shortin. Me një mendje te sfida e fundjavës, Reali e merr mjaft lehtë ndeshjen, me formacion të shpërfytyruar dhe me emra të rinj, përveç Ronaldos, Anceloti kërkon nga skuadra thjeshtë të jap maksimumin për të shkuar në gjendje të mirë psikologjike në El Klasiko. Në minutat e para loja është e balancuar për të dyja skuadrat, ndërsa Reali merr goditjen e parë teksa Jese Rodriguez dëmtohet rëndë dhe pritet të mungojë nga 4-6 muaj sipas mediave spanjolle. Në fushë hidhet Garet Bejl që vetëm pas disa minutash jep një top fantastik për Ronaldon që arrin të shënojë golin e avantazhit. Schalke reagoi dhe barazoi rezultatin pas 10 minutash me anë të mbrojtësit Hogland që lëshon një goditje nga distanca. Pavarësisht përpjekjeve të dyja skuadrave pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat. Fillimi i pjesës së dytë ishte më i mirë për ekipin gjerman, të cilët ishin pranë golit. Galaktikët nuk heqin dorë nga fitorja dhe shënojnë golin e dytë me Kristiano Ronaldon. Ndërkohë që një minutë më pas talenti Morata shënon emrin në listën e golashënuesve. Një fakt interesant për skuadrën "Mbretërore" Real Madrid, lidhet me eliminimin që i shkaktoi Schalke 04. Sa herë që galaktikët kanë eliminuar një skuadër gjermane atëherë ka fituar Ligën e Kampionëve, kështu të paktën ka ndodhur gjatë triumfit të tyre të shtatë, të tetë dhe të nëntë. Por se a do të përjetojë skuadra Ancelottit, përsëri një sukses të tillë kjo mbetet të shihet në pjesën e mbetur të Ligës më prestigjioze evropiane për klube. Real Madrid është në kërkim të titullit të 10-të, të shumëpritur që për ta titullohet "La Decima".

/Ora News.tv/