Sfida apokaliptike mes Manchester United dhe Real Madrid ka përfundur me një fitore të Madrilenëve të cilët tashmë e shohin veten në çerekfinalet e Chempions Ligë. Mourinho ka shpëtuar një sezon që në plan të parë dukej i dështuar duke eliminuar Djajtë Britanik pas fitores 2-1 në Teatrin e Ëndrrave. Një rol të rëndësishëm për fitoren e madrilenëve pati edhe gjyqtari turk Çakir, i cili ndikoi në fatin e ndeshjes me kartonin e kuq që i dha Nanit në pjesën e dytë. "Djajtë e kuq" dominuan pjesën e parë dhe krijuan raste më të mira për të shënuar golin e avantazhit, ndonëse Ferguson çuditi të gjithë duke lënë Uejn Runin në pankinë. Nga ana tjetër, Kristiano Ronaldo nuk u duk në nivelin e tij më të mirë, ndoshta i prekur nga pritja shumë e ngrohtë që i bëri publiku i ish-skuadrës së tij me një duartrokitje të gjatë si të ishte ende një futbollist i skuadrës angleze. Me fillimin e pjesës së dytë, Mançester Junajtid gjen edhe golin e avantazhit. Serxho Ramos shënon një autogol duke i dhënë skuadres vendase avantazhin shumë shpejt. Anglezët duken më pranë kualifikimit por në skenë hynë gjyqtari Turk, i cili nuk ngurron të nxjerrë nga loja me karton të kuq mesfushorin Nani për një faull ndaj Arbeloas. Mançester Junajtid humb qetësinë dhe nga kjo përfiton Reali që kthen fatin e ndeshjes brenda pak minutave. Fillimisht është Modriç që shënon shënon një supergol nga jashtë zonë duke mos i dhënë asnjë shans portierit De Gea që të reagojë. Ndërsa më pas është i përhershmi Kristiano Ronaldo, që shënoi golin e dytë dhe të kualifikimit për skuadrën e tij. Me futjen e Runit në lojë gjatë minutave të fundi loja e vendasve ndryshon por portieri Lopez është i pakalueshëm duke u bërë vendimtarë me disa pritje radhazi. Tashmë Reali pret i qetë emrin e skuadrës që do të ketë përballë në çerekfinalet e turneut, duke qenë i ndërgjegjshëm që sapo ka larguar nga aktiviteti një nga skuadrat më të kompletuara, duke fituar atë që jo rastësisht u etiketua si finalja e parakohshme.

/Ora News.tv/