Merkato e janarit është ende larg, por drejtuesit e Realit të Madridit nuk po humbasin aspak kohë në "gjuetinë" për të pikasur elementë cilësorë për skuadrën e Julen Lopetegui. Së fundmi, në orbitën e madrilenëve është futur ylli brazilian i Corinthians, Leo Santos.

19 vjeçari i cili aktualisht është grumbulluar me kombëtare "Selecao" të U-20, është prej kohësh në listën e dëshirave të klubit spanjoll dhe merkato e janarit pritet të jetë koha e duhur për të mbyllur operacionin. Santos është një mbrojtës i lindur, ku deri më tani ka zëvendësuar denjësisht Balbuena i cili vendosi të transferohet në Premier League në radhët e West Ham United në verën që sapo lamë pas.

Deri më tani ai ka luajtur në 14 ndeshjet e fundit duke përfshirë edhe Copa Libertadores. Tregu brazilian është kthyer në një prioritet për Realin, me spanjollët që nuk kanë për qëllim të humbasin asnjë mundësi.

Me një kontratë deri në verën e vitit 2020, Reali po monitoron aktualisht shfaqjet e tij dhe do ta bëjë këtë përsëri në janar gjatë kampionatit U20 të Amerikës së Jugut. Në ditët e fundit, emisarë të kampionëve në fuqi të Evropës kanë udhëtuar drejt Brazilit për të ndjekur evolucionin dhe punën e Rodrygo, si dhe për të vazhduar me rekrutimin e talenteve në zhvillim.

Në orët e fundit, Lucas Paqueta është rekomanduar në klub. Ata konfirmojnë se lojtari i Flamengos është një kërkesë nga Marcelo në bord. Aktualisht, 21-vjeçari është kyç për ekipin e tij në kampionat, pasi aktualisht Flamengo është në garë me Palmeiras për titullin kampion.

/Ora News.tv/