Reagim/ Nis "lufta e ftohtë" mes Partizanit dhe FSHF-së

"Lufta" mes Partizanit dhe FSHF-së sapo ka nisur.

"Të kuqtë" akuzuan FSHF-në si një Federatë e dirigjuar nga Federata Maskaradë e Futbollit që vijojnë të dëmtojnë, penalizojnë imazhin dhe investimet e mëdha financiare, duke kompromentuar seriozisht pjesëmarrjen e skuadrës në Kupat e Europës.

I menjëhershëm ka qënë reagimi i organit më të lartë të futbollit shqiptarë, ku ka theksuar se nuk ka gisht në këtë çështje ndërkohë që ka kërkuar më shumë "paqe" dhe gjakftohtësi nga klubi i Partizanit.

Pas kësaj, "demat" kanë reaguar sërish nëpërmjet një tjetër deklarate në faqen zyrtare, ku tregon se FSHF-ja ka dalë jashtë kompetencave të veta duke bërë analizë për lojën e Partizanit ndaj Lushnjës.

Deklarata nga klubi i Partizanit:

ME SHUME KORREKTESE DHE PROFESIONALIZEM

Pasi jemi njohur me reagimin e fundit të Federatës Shqiptare të Futbollit i kujtojmë këtij Institucioni se në bazë të ligjit të Sportit të Republikës së Shqipërisë është i ngarkuar të organizojë aktivitetet kombëtare sportive për futbollin. Klubi Partizani ka mbetur i habitur që ky Institucion, duke dal jashtë kompetencave të veta i kushton vëmendje të detajuar dhe bën një analizë të thellë të lojës së ekipit të Partizanit në ndeshjen në Lushnjë. Persiatjet pse bëri apo nuk bëri gola Partizani e pastaj mos të merrej me gjykimin skandaloz, lënë kohën të gjejnë dhe janë biseda që mund të konsumohen në bare e pika bastesh dhe nuk i takojnë aspak deklaratave zyrtare të një Institucioni si Federata e Futbollit. I rikujtojme kësaj Federate që klubi në deklaraten e tij e pranoi paraqitjen e dobët të skuadrës, por Federata në asnjë moment nuk e mori një hap të tillë për atë që është etiketuar si skuadra më e dobët e kampionatit, skuadrën e arbitrave. Është pikërisht kjo skuadër çdo javë dhe në çdo ndeshje shënon "gola" spektakolarë e që kënaqin çdo pritshmëri të planifikuar nga eprorët e tyre po ata vetë. Për këtë e mirëkuptojmë FSHF që rend me vrap e me dëshirë për t’u angazhuar me deklarata në mbrojtje të "yjeve" të saja ndaj reagimeve "bezdisese" dhe të përjavshme të klubeve të dëmtuara.
Duke qenë se FSHF është organizatore e kësaj gare dhe ligjërisht arbitrat janë Shoqatë e pavarur, jemi dakord që të përdoret një garë dhe një fjalor “Fair”. Por, kur shkelet e drejta për barazi, kur telekomandohet gara nga gjykime tendencioze dhe të programuara të arbitrave, klubi i Partizanit kërkon të dijë se si e kupton FSHF-ja fjalën “Fair”?! 
I bëjmë me dije se kushdo që dëmton fanellën, investimin dhe kontributin e lojtarëve të Partizanit, do përgjigjet ligjërisht, siç i takon çdo individi apo subjekti të kërkojë të drejtën e tij.
I kujtojmë FSHF-së, se fjala “Fair” nuk nënkupton që drejtuesit e saj, të përcaktojnë poshtë apo sipër tavolinave se kush duhet të fitojë apo të dëmtohet.
Fjalori i përdorur vjen si rrjedhojë e bastardimit të barazisë sportive, të realizuar vetëm e vetëm nga individë dashakeqës dhe pa pikë karakteri.
Nëse FSHF është mësuar dhe dëshiron që edhe këtë sezon t’ vendosë se kush shkon në Europë, apo kush bie nga Kategoria, Klubi i Partizanit do luftojë deri në fund, për gjënë me elementare në futboll: për DREJTËSI




EMISIONET