Komisioneri për monitorimin e shërbimit civil ka dorëzuar në parlament raportin e monitorimit për 11 ministri, kryeministrinë si dhe 39 bashki ku përfshihen dhe ish-komunat.

Në vlerësimin e rekrutimeve por dhe të shkrirjes së institucioneve për shkak të reformimit të qeverisë, komisioneri veçon rastet me shkelje në emërime.

"Gjatë këtij procesi janë kontrolluar marrëdhëniet e punësimit për 2803 pozicione pune pjesë e shërbimit civilë, nga të cilat janë konstatuar 1964 raste të emërimeve në përputhje me kërkesat e ligjit dhe 839 raste, të emërimeve të parregullta, të kryera duke mos respektuar procedurat e rekrutimit".

Për të gjitha këto raste janë urdhëruar personat përgjegjës, të rregullojnë pasojat e paligjshmërisë, duke filluar me ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënies së punës dhe duke vijuar njëkohësisht me shpalljen e vendeve të lira. 

Megjithatë, trendi i mobilitetit të lëvizjes brenda sistemit të shërbimit civil nëpërmjet procedurave të lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë në administratën shtetërore, konstatohet në rritje, ç`ka mund të vlerësohet si tregues i rritjes së besimit të nëpunësve civilë. 

Po ashtu nga Instituti i disiplinës në shërbimin civil, është aplikuar në 33 masa disiplinore, nga të cilat në 3 raste, për shkelje shumë të rënda është dhënë masa largim nga shërbimi civil.

Përgjatë vitit 2017 janë paraqitur pranë komisionit 91 ankesa nga punonjësit,  teksa në 88 raste institucionet kanë zbatuar vendimet e marra prej komisionerit. 

Sa i takon rasteve të moszbatimit të vendimit, ato janë konstatuar kryesisht në administratën vendore dhe kanë të bëjnë me anulimin e akteve të paligjshme të emërimit. 

Në raport nënvizohet se gjatë vitit të shkuar u parashikua konkurrimi për 1072 pozicione pune të niveleve ekzekutive, të mesëm drejtues dhe të ulët drejtues, por ky proces nuk u realizua për 591 pozicione pune të lira, nga të cilat një pjesë e tyre u plotësuan me anën e procedurave të tjera alternative. 

Sa i përket mungesave për 20 ditë pune, janë  15.867 orë mungesa ose 0.07 për qind të detyrës.

 

/Ora News.tv/