Në raportin paraprak për zgjedhjet e 30 qershorit, misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR ka konkluduar se Partia Bindja Demokratike  e Astrit Patozit është parti e regjistruar në kundërshtim me ligjin për të marrë pjesë në zgjedhje.

Ndonëse kjo rriti numrin e garuesve, thuhet në raport, KQZ-ja e interpretoi ligjin në një mënyrë tejet të gjerë dhe, ndonjëherë jokonsistente, duke cenuar sigurinë juridike.

"KQZ-ja e regjistroi Bindjen Demokratike (BD) si subjekt zgjedhor më 27 prill, ndonëse kjo e fundit ishte regjistruar si parti politike vetëm më 25 prill me një vendim gjykate që mori formë të prerë më 10 maj. Përveç kësaj, KQZ-ja nuk i kërkoi partisë së saporegjistruar, Bindjes Demokratike, të mblidhte firma mbështetëse, duke e shpërfillur kërkesën për periudhën gjashtë-mujore" nënvizon raporti.

REGJISTRIMI I KANDIDATËVE

Pjese nga raporti

"Çdo zgjedhës me të drejtë vote mund të kandidojë për zgjedhje ne bashkinë ku ka vendbanimin, me përjashtim të atyre që u është kufizuar kjo e drejtë nga ligji i dekriminalizimit i vitit 2015.

 Në Kushtetutë renditen disa kategori zyrtarësh, posti i të cilëve nuk përputhet me të drejtën për të kandiduar.

Për të pasur kandidatët e tyre, partitë politike, koalicionet dhe grupet e zgjedhësve duhet të regjistrohen fillimisht në KQZ si subjekte zgjedhore. Partitë dhe grupet e zgjedhësve duhet të paraqesin firma mbështetëse të jo më pak se një për qind të zgjedhësve të bashkisë përkatëse, në qoftë se nuk kanë qenë të përfaqësuara në parlament apo në qeverinë vendore për një periudhë prej të paktën gjashtë muajsh. KQZ-ja demonstroi qartazi një qasje gjithëpërfshirëse në regjistrimin e kandidatëve. Ndonëse kjo rriti numrin e garuesve, KQZ-ja e interpretoi ligjin në një mënyrë tejet të gjerë dhe, ndonjëherë jokonsistente, duke cenuar sigurinë juridike. KQZ-ja e regjistroi Bindjen Demokratike (BD) si subjekt zgjedhor më 27 prill, ndonëse kjo e fundit ishte regjistruar si parti politike vetëm më 25 prill me një vendim gjykate që mori formë të prerë më 10 maj.

Përveç kësaj, KQZ-ja nuk i kërkoi partisë së saporegjistruar, Bindjes Demokratike, të mblidhte firma mbështetëse, duke e shpërfillur kërkesën për periudhën gjashtë-mujore.

Në përgjigje të ankesave ndaj mosregjistrimit të kandidatëve nga KZAZtë, KQZ-ja rifuti në garë 11 kandidatë.

Kodi Zgjedhor parashikon një kuotë gjinore prej 50 për qind për listat e kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë, ku një në çdo dy kandidatë duhet t’i përkasë secilës gjini. Disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it ia atribuuan sistemit të kuotave krijimin e një mjedisi të favorshëm për rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën politike, por theksuan se ishin të pakta gratë që mbajnë role drejtuese në parti politike.

Mospërmbushja e kësaj kërkese të ligjit çoi në mospranimin e një liste kandidatësh. Shkaqe të tjera ishin mosrespektimi i afateve për dorëzimin e dokumentacionit, mospërmbushja e kërkesës së vendbanimit dhe mungesa e legjitimitetit për të marrë pjesë në zgjedhje. KQZ-ja i publikoi vendimet për mosregjistrimin dhe riregjistrimin e kandidatëve me vonesa të konsiderueshme, duke ndikuar negativisht në transparencën e procesit të regjistrimit të kandidatëve. Kodi Zgjedhor e ndalon bërjen e ndryshimeve në listat e kandidatëve pas miratimit të tyre përfundimtar dhe nuk e rregullon tërheqjen e kandidatëve. KQZ-ja hodhi poshtë disa kërkesa për tërheqje të paraqitura nga kandidatë për kryetarë bashkie të Bindjes Demokratike, duke i lënë kështu emrat e tyre në fletën e votimit.

Në total, për kryetarë bashkie kandiduan 97 kandidatë, duke përfshirë 11 gra dhe 6 kandidatë të pavarur. Në garën për kryetarë bashkie, koalicioni i drejtuar nga PS-ja doli me kandidatë në të gjitha 61 bashkitë, në 31 prej të cilave nuk pati kundërshtarë. Dy koalicione, nëntë parti individuale dhe njëmbëdhjetë kandidatë të pavarur garuan në 544 lista kandidatësh për këshillat bashkiakë, duke e çuar në total në më shumë se 9,850 kandidatë. Megjithatë, heqja dorë e partive kryesore opozitare nga procesi zgjedhor ua kufizoi votuesve mundësinë e zgjedhjes mes alternativave të ndryshme politike. Kryetarët e 26 bashkive nga partitë opozitare, të cilëve u mbaron mandati, zgjodhën të mos rikandidojnë."

/Ora News.tv/