Shqipëria renditet e fundit në rajon përsa i përket zhvillimit të infrastrukturës.

Në një raport të Fondit Monetar Ndërkombëtar analizohet gjendja e rrugëve në Ballkan ku konstatohet se të gjitha vendet e rajonit janë  shumë larg mesatares së Bashkimit Europian.

Serbia është vendi që ka zhvillimin më të mirë në infrastrukturë me rreth 30% larg mesatares së BE-së ndërsa Shqipëria thuhet në raport është 70% larg mesatares europiane.

Gjendja e rrugëve vlerësohet e rëndësishme për integrimin Ballkanit dhe nisur nga kjo FMN vlerëson se kjo gjendje mund të kufizojë integrimin më të thellë rajonal, pengon vendet e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë nga ekonomitë e shkallës dhe ul interesin  për to si një destinacion për hyrjet e investimeve të huaja direkte.

FMN analizon se kjo gjendje ka ardhur si rezultat i fondeve të ulta të përdorura për ndërtim të infrastrukturs. Në raport Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkon vendeve të Ballkanit të bëjnë kujdes me dhënien e PPP-ve për rrugët në mënyrë që të ulin rreziqet për buxhetin e shtetit sidomos vendet me borxh të lartë publik ku përfshihet dhe Shqipëria.

Disa nga sygjerimet që jepen në këtë drejtim janë  planifikimi i duhur dhe përzgjedhja e kujdesshme e projekteve, kontrolle të mjaftueshme të institucioneve për të shmangur abuzimet si dhe vendosja e kornizave të duhura ligjore.

Gjatë 2018 Qeveria shqiptare ka parashikuar që të bashkëpunojë me privatin për ndërtimin e një sërë segmentesh të rëndësishme rrugore. Projektet në infrastrukturë të tipit PPP  kapin vlerën e 140.6 miliardë lekëve. Ndërtimi i segmentit rrugor Kashar-Rrogozhinë është projekti që ka vlerën më të madhe për vitin 2018 në infrastrukturë.

/Ora News.tv/