Krimi shqiptar mbetet organizata më e degëzuar e huaj në Itali, me një kapacitet të lartë për rivitalizimin dhe rinovimin e rangjeve dhe bazave operacionale. Kështu thuhet në raportin e Ministrisë së Brendshme të Italisë dërguar në Parlamentin vendas për periudhën janar-qershor 2017.

Sipas raportit në pjesën për kriminalitetin shqiptar, thuhet se grupet shqiptare karakterizohen nga një strukturë organizative në formën e "klanit", çka nënkupton lidhjen farefisnore, e cila mban të fortë lidhjen midis anëtarëve të grupit.

Raporti thotë se "ata tregojnë gjithashtu një natyrë të dhunshme të theksuar në kryerjen e veprave kriminale dhe një lëvizshmëri ekstreme në territor, gjë që u lejon atyre të zgjerojnë në mënyrë progresive fushën e interesave kriminale. Këto interesa shpesh ndahen me grupe italiane, si në fushën e drogës, shfrytëzimin e prostitucionit dhe krimet kundër pronës". 

Megjithatë-thekson raporti- përdorimi i dhunës mbetet instrumenti përmes të cilit zgjidhen mosmarrëveshjet midis grupeve rivale dhe jo vetëm për shkaqe që lidhen me aktivitetet e paligjshme.

Një fakt interesant që thekson raporti italian, është se grupet shqiptare mbështeten në rregulla kanunore, një kod zakonor që daton në shekullin e 15-të që është alternativë ndaj rregullave të shtetit. Si shembull për këtë, raporti përmend vrasjet për gjakmarrje.

"Ky barbarizëm mund të jetë çelësi për të lexuar vrasjen e dyfishtë në nëntor 2016 në Canegrate (MI), dhe u zgjodh nga karabinierët në maj 2017 me arrestimin e e porositësve". Në atë periudhë, u vranë dy vëllezër shqiptarë nga Mirdita, Agron dhe Alban Lleshaj, 27 dhe 24 vjeç.

Shkak për krimin e rëndë u bënë grupet rivale kriminale aktive në zonë.

Raporti thotë gjithashtu, se grupet kriminale shqiptare kanë aleanca historike me organizatat mafioze italiane, duke nënvizuar se "marrëdhënia ndërmjet klaneve shqiptare dhe krimit të Puglias meriton një përmendje të veçantë, gjithashtu për shkak të afërsisë gjeografike mes dy vendeve, teksa portet në Adriatik mbeten vendet e privilegjuar për trafikun e paligjshëm nga Ballkani.

Porti i Brindisit, në veçanti, është një nga udhëkryqet më të preferuara të organizatave kriminale transnacionale, të përdorura jo vetëm për ngarkesat e drogës veçanërisht marijuana, por edhe mallrat e falsifikuara".

Antimafia italiane thekson se grupet shqiptare kanë përparuar në mënyrë progresive në teknikat e fshehjes së drogës, duke krijuar hapësira të fshehta në makinat e transportit, të kontrolluara nga pajisje të sofistikuara elektromekanike.


/Ora News.tv/