Ramazani nis nesër, ja çfarë duhet të kenë parasysh agjëruesit

Ramazani nis nesër, ja çfarë duhet të kenë parasysh

Praktikanët e besimit mysliman nisin të mërkurën muajin e agjërimit, privimit me vetëdije nga ngrënia dhe pirja prej agimit deri në perëndim të diellit. Muaji i agjërimit mbyllet në 14 qershor dhe përfaqësues të komunitetit mysliman ndajnë sugjerimet e tyre ndaj besimtarëve që agjërojnë për herë të parë. 

Ramazani është muaji i adhurimit ndaj Zotit, reflektimit për të qenë më të dashur dhe sakrificës për të qenë pranë të uriturve. 

Një mysliman që do të agjërojë në këtë muaj duhet të përgatitet shpirtërisht për devotshmërinë e tij dhe fizikisht për shkak të privimit me vetëdije nga ngrënia dhe pirja prej agimit deri në perëndim të diellit. 

Mëngjesi i së mërkurës, syfyri, duhet të konsumohet brenda orës  03:21, ndërsa iftari që është mbyllja e ditës së parë së agjërimit do të jetë mbrëmjen e së mërkurës në orën 19:59. 

Për besimtarët myslimanë dhe përfaqësuesit e këtij komuniteti, muaji i Ramazanit i bën qytetarët më të ndjeshëm dhe më paqësor.

Ylli Cikalleshi: Agjërimi nuk është vetëm që njeriu të qëndrojë pa ngrënë dhe pa pirë gjatë ditës. Agjërimin më të mirë ne e konsiderojmë agjërimin që dhe me shqisat agjërojmë ndaj së keqes. Pra nëse jemi më të vetëpërmbajtur me gjuhën, shikimet, dorën, këmbën në raport sa agjërojmë me këto shqisa aq e kemi çuar në vend agjërimin. 

Ylli Cikalleshi, kancelari i KMSH-së ka dhe dhe një sugjerim për ata që agjërojnë për herë të parë.

Ylli Cikalleshi: Kush agjëron për herë të parë i garantoj që do jetë një kënaqësi e veçantë për shkak se do jetë shumë e lehtë. Ne kemi agjëruar në ditët më të nxehta të vitit. 

Sugjerohet që agjërimi të ndiqet edhe me një dietë të pasur ushqimore. 

Rekomandohet që në syfyr të konsumoni ushqime të pasura me karbohidrate që dita të jetë me energjike, ndërsa në mbrëmje, iftari çelet me ujë dhe më pas me një supë me zarzavate apo me mish. 

EMISIONET