Kryeministri Edi Rama u prit me protesta gjatë qendrimit të tij në Korçë.

Qytetarë të shumtë dhe mbështetës të PD dhe LSI kanë dalë në dy anët kryesore të rrugës Korçë-Bilisht me pankarta antiqeveritare në duar në kohën kur eskorta e kryeministrit po kalonte.

Gjatë protestës ka pasur edhe incidente dhe përplasje mes ish-deputetëve Ervin Salianji, Klevis Balliu, Endrit Braimllari dhe zyrtarëve të policisë, mes të cilëve edhe Gjovalin Loka, drejtori i departamentit të sigurisë publike në policinë e shtetit. 

Incidentet vazhduan edhe gjatë të kthimit të kryeministrit nga Bilishti në Korçë.

Nga pamjet e siguruara nga RTV Ora konstatohen masa të forta të sigurisë që janë marrë nga policia e shtetit si me trupat lokale, ashtu edhe me efektiva të FNSH.

Rama tha se zgjedhjet e 30 qershorit nuk do të shtyhen, duke shtuar se veç vetëvrasjes së vet politike, opozita nuk ka shans të pengojë zgjedhjet.

Rama: E vetmja viktima e atyre protestave është Shqipëria, është ekonomia e njerëzve të thjeshtë. Në 30 qershor do vendoset një kufi i qartë dhe përfundimtar për ata që i kanë dhënë të drejtën vetes gjithë jetën që të jenë mbi ligjin.

Rama shtoi se akuzat e opozitës për përgjimet e Vangjush Dakos dhe vjedhjen e votave në 2017 nuk kanë asnjë bazë.

Rama: Ndërsa për të mundur Lulin na u desh të blejmë vota. Për të mundur Lulin me atë veshgjatin që ka si luftëtarin e vijës së parë dhe me ata të tjerët që emrat nuk ja kujtoj, na u desh ne të blejmë vota, të mundim Lulin. Ka ndonjë demokrat në gjithë Shqipërinë që mendon se PD  e Saliut, e Bodës, e të ndjerit Sokol Olldashi, e Topallit ishte më e dobët sesa PD e Lulit, Gridës dhe Salianjit?!

Kryeministri foli edhe për qytetarët dhe mbështetësit e opozitës që kanë protestuar ndaj tij gjatë takimeve në rrethe.

Rama: Nga këto grupet e çingijeve që më nxjerrin mua, si te filmi "Koncert në vitin 36". Ja edhe për në Devoll do ketë dalë ai veshgjati.

Rama përsërit se opozita nuk po hyn në zgjedhje për shkak të frikës nga reforma në drejtësi.





/Ora News.tv/