Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i ftuar mbrëmjen e sotme në “360 Gradë”, të Artur Zhejit, ka folur lidhur me debatin e javëve të fundit për dekretin e Sandër Lleshit.

Basha është shprehur se Lleshi është një vartës i Ramës dhe propozimi i tij dhe vendosja në këtë post, tregon kapjen totale të Ministrisë së Brendshme nga Edi Rama.

Ndër të tjera Lulzim Basha tha se Lleshi nuk i jep siguri vendit, pasi sipas kreut të opozitës, në këto 5 vite ka shërbyer si këshilltar i Ramës për sigurinë, ndërsa vendi është “zhytur në krim dhe në drogë”.

Ajo që po paralajmëroj sot është që emërimi apo jo i Lleshit, përfaqëson shkallën më të fortë të kontrollit dhe kapjes së Ministrisë së Brendshme nga Rama. Në këtë fazë i duhet më shumë për të mbyllur dosjet e hapura të Tahirit, Xhafajt apo të çështjeve të tjera që ka. Ministria e brendshme është kontrolluar nga Rama dhe dërgimi i një vartësi të tij është akti i fundit që zbulon domosdoshmërinë që Rama ka për të kontrolluar këtë ministri. Në kuptimin politik është rënia e Ministrisë së Brendshme totalisht në dorë të Ramës për të mbrojtur veten, familjen dhe aleatët e tij" , u shpreh Basha.


/Ora News.tv/