Kryeministri Edi Rama bën një hap pas dhe "lëshon" Valdrin Pjetrin të cilin pasi i besoi drejtimin e bashkisë së Shkodrës i kishte besuar edhe Partinë Socialiste të këtij qyteti. Deri para pak ditësh detyra e drejtuesit të qarkut socialist të PS-së mbahej nga Ditmir Bushati por në mbledhjen e Asamblesë Kombëtara, Rama njoftoi ndryshimin.

"Vendosja e Valdrinit drejtues aty është gjëja e duhur" deklaronte Rama para gazetarëve më 30 korrik, ndërsa sot vetëm pak orë pasi Partia Demokratike publikoi dokumentin e questurës së Firences përmes një postimi në twitter Rama distancohet dhe shkruan se deri në zbulimin e së vërtetës PS dhe Valdin Pjetri i ka rrugët e ndara.

 “Jo Valdrini,po vëllai im të jetë, s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua,në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale. Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual!” shkruan Rama në Twitter. 

Sipas dokumentit të publikuar nga PD, Pjetri u dënua më 21 qershor 2003 nga Gjykata e Firences Itali me 18 muaj burg dhe 1000 euro gjobë. Madje ai vetë shprehet PD ka firmosur pranimin e fajësisë.

Përmes rreshtave duket se Rama nuk e fsheh dot zhgënjimin.

"I edukuar, i zoti, i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar, po kjo s’mjafton më! Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin, po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht.

E me këtë rast, të tërë ta fusin mirë në kokë: Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt! Shkoj në luftë për çdo ide, qëllim a shok armësh, po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky, as marr më, as lejoj më t’i marrë PS!"

Ndërsa më parë kryebashkiaku i Shkodrës, Valdrin Pjetri në një postim në facebook shkruan se e vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjensive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e PD. Por thekson se pret me padurim verifikimin e pastërtisë së figurës së tij.

"Unë të vërtetën time e deklarova para kandidimit si dhe para pak ditësh me dokumenta zyrtare. E vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjensive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e PD.

Pres me padurim vendimin e përfundimit të procesit të verifikimit të figurës nga ana e autoriteteve zyrtare shqiptare dhe italiane".

Ja çfarë deklaronte kryeministri Rama për Valdrin Pjetrin kur e zëvendësoi me Ditmir Bushatin

Në Asamblenë Kombëtare të mbledhur në Pallatin e Kongreseve më 23 korrik 2019, Rama bëri të ditur largimin e Ditmir Bushatit nga drejtimi i qarkut të Shkodrës.

Rama u shpreh se ky ndryshim vinte si nevojë për të përmirësuar drejtimin politik në Shkodër.

Edi Rama:  Duke ndjerë nevojën për të përmirësuar drejtimin politik në Qarkun e Shkodrës, Qarkun do e drejtojë kryetari i ri i Bashkisë së Shkodrës.

Pas kësaj deklarate të Ramës, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në një prononcim për gazetarët deklaroi se: Nuk ka rëndësi të jem me post apo pa post. E rëndësishme është për cfarë cështjesh luftoj dhe pikëpamjesh mbroj. Të jeni të bindur se mungesa e oficit më bën të jem më i vendosur për të cuar përpara idetë për të ardhmen tonë".

Ndërsa gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ( 30 korrik 2019), kryemninistri Edi Rama u shpreh:

“Duhet një person çdo ditë e çdo natë aty. Une dua qe ne fund te 4 viteve te Valdrinit ata qe shkojne ne Shkodres te kene impaktin qe kane ne Vlore.”




/Ora News.tv/