Barazimi ndaj Qarabag është përshëndetur edhe nga drejtori sportiv i Partizanit, Olsi Rama. Numri 2 i klubit kampion komplimentoi skuadrën për sakrificën e bërë në këtë duel, teksa e pranoi se në Azerbajxhan do të jetë një tjetër histori. Sa i përket të ardhmes së Trashit, Rama la gjithçka të hapur, por nuk përjashtoi shitjen e 26 vjeçarit.

Si u duk kundërshtari?

O.Rama: Në letër, janë ekip më i fortë se ne. Në vlerë, janë një ekip tre herë më i shtrenjtë se ne. Në fushë, luhet me zemër dhe karakter, dhe jam i kënaqur që djemtë e Partizanit sot na bënë krenar, që luajnë me këtë mënyrë. Karabaku ka element cilësorë, ka një avantazh se lojtarët e tyre luajnë bashkë prej kohësh, dhe kjo ndihmon, sidomos në këto aktivitete. Besoj se në harkun e 90 minutave, me aq sa pashë, përveç faktit që mbajtën topin më tepër, rastet dhe goditje i patëm ne.

Çfarë ndjesie ju krijoi goli që nuk hyri?

O.Rama: Mundohem që ndeshjen ta shoh me qetësi, dhe më tepër se sa goli, rëndësi kishte mënyra si ekipi do sillej në fushë. Më pëlqeu mënyra se si sakrifikuan, se si ndoqën trajnerin, dhe si rrjedhojë ngritën nivelin e lojës në pjesën e dytë. Ruajtën distancën mes reparteve, kombinuan mirë. Patën rezultat në atë që donin të shprehnin në fushë. Goli është qershia mbi tortë, do ishte diçka e bukur. Por, ende gjithçka është e hapur. Ka dhe 90 minuta.

Sa shanse ka Partizani për surprizën e madhe?

O.Rama: Që kur thuhet surpriza e madhe, ka një vështirësi. Mendoj se para se të bënim këtë ndeshje, trajneri ngulte këmbë dhe thoshte se është një ndeshje. E kishte vetëm për këtë. Nga kjo ndeshje, morëm përgjigjet që na duhen, dhe mund të punojmë edhe një javë për të rritur rendimentin e punës sonë. Tani kemi edhe një ndeshje. Shpresoj që me një javë stërvitje, me Brojën, Solomonin dhe Braun, do kemi mundësi që dhe ata të njihen më mirë me ekipin. Braun vinte nga një udhëtim i gjatë, torturues. Solomon nuk është akoma në formën më të mirë fizike. Një javë na ndihmon që dhe ne të kemi atje një armë më të rrezikshme, t’i befasojmë ata. Kemi hyrë në këtë aktivitet t’i marrim çdo ndeshje me radhë.

Besoni se do bëni diçka ndryshe nga Kukësi një vit më parë?

O.Rama: Unë nuk shoh rivalët tanë, ne do shkojmë për ndeshjen tonë, për të përfaqësuar e nderuar Partizanin. Se si do rrjedhë, ndonjëherë edhe fati është një element i rëndësishëm.

Trashi u fut nga stoli, u duk sikur i dha një impuls të ri. A ka një çështje Trashi?

Trashi është një lojtar që e dua shumë, ka sjellë cilësi te Partizani. Nuk ka çështje Trashi, te Partizani të gjithë janë të barabartë. Luan ai që kontribuon më shumë në atë skemë të lojës së trajnerit. Duke parë kundërshtarin, trajneri preferoi Hakajn për cilësitë e veta në fazën mbrojtëse. Kur ekipi kishte nevojë që të ngrihej më lart, u fut dhe dha kontributin e tij. Pas ndeshjes, ai shkoi dhe përqafoi trajnerin.

Trashi ka lënë të kuptohet se dëshiron të largohet në merkato. Partizani do ta shesë?

O.Rama: Për hir të respektit që kam për klubin dhe Trashin, po them se nëse ai do të shkojë diku dhe të provojë fatin e vet në karrierë, unë e dua dy herë këtë gjë. Por, me kushtet e duhura, që edhe Trashi të shkojë në një klub prestigjoz, por edhe Partizani të fitojë nga kjo tratativë. Trashi me dëshirën e vet e ka rinovuar kontratën në tetor të vitit të kaluar, dhe e ka bërë këtë me idenë që një nga synimet e Partizanit, është jo vetëm të fitojë në fushë, por edhe jashtë saj, me transferta të suksesshme. Shpresojmë që edhe Trashi të jetë transferta e parë e suksesshme e Partizanit në këtë drejtim timin.

/Ora News.tv/