Mbrëmja e të enjtes kaloi mes tensioneve në Shkodër, me tubimin elektoral të Partisë Socialiste nga njëra anë në kuadër të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe protestën e opozitës vetëm pak metra larg,  që kërkonte largimin e kryeministrit Edi Rama.

Bashkia e Shkodrës refuzoi ti jepte leje Partisë Socialiste për zhvillimin e tubimit elektoral të socialistëve në një nga sheshet e qytetit, por kryeministri Edi Rama e sfidoi bashkinë.

Tubimet u mbajtën në një situatë të tensionuar, ku policia përdori gazin lotsjellës kundër protestuesve, të cilët u përpoqën të marshonin drejt vendit ku do të fliste kryeministri.

Pati të lënduar në radhët e protestuesve dhe policisë.

Rama në fjalimin e tij  premtoi para shkodranëve transformim të qytetit në 4 vitet e ardhshme dhe tha se kjo do të ishte sfida e tij personale.

Ai ju referua Voltana Ademit si kryetarja më e paaftë e  bashkisë në histori, teksa nuk harroi të përsërisë vendosmërinë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.

Ndërkaq, mbështetësit e opozitës kërkonin largimin e qeverisë dhe të Kryeministrit Rama, duke thënë se nuk do t'u nënshtrohen kriminelëve. Ademi i bëri thirrje policisë për mbështetje dhe u kërkoi protestuesve të mos godasin policinë.

Ora 20:57  Opozita ka vijuar me protestën vetëm pak minuta pas mbylljes së takimit elektoral të kryeministrit Rama në Shkodër.

Me thirrjet "Rama ik" ata parakaluan në rrugë dhe më pas nisi shpërendarja e tyre por edhe e forcave të policisë.

Veç protestuesve që u lënduan nga gazi ka pasur të lënduar edhe në radhët e policisë.

Ora 20:12 – Policia ka hedhur sërish gaz lotsjellës në drejtim të qytetarëve protestues në Shkodër.

Qytetarët kërkojnë të pengojnë takimin elektoral të Ramës.

Ora 19:42 – Drejtuesi i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ndodhet në krye të kordonit të policisë që është vënë në sheshin e Shkodrës për të siguruar zhvilimin e takimit elektoral të kryeministrit Edi Rama.

Ora 19:40 - Voltana Ademi: Ne do të bërtasim Rama ik, policia të mos gjuajë mbi njerëzit

Për RTV Ora gazetari Bepin Kolvataj raporton se protestuesit kanë gjuajtur me gurë në drejtim të kordonit të policisë, që nuk lejonte kalimin e ambulancës që mbante brenda 3 persona të lënduar.

Gjithashtu raportohet se një foshnjë një mujash është transportuar në spitalin e Shkodrës në gjendje të rëndë, për shkak të gazit lotësjellës të hedhur në zonën e pedonales.

Bepin Kolvataj: Po qëllohet me gurrë në drejtim të ambulancës që ka tre të dëmtuar brenda saj, por policia nuk lejon kalimin e saj. Një fëmijë një vjeç e gjysme është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e  Shkodrës.  Këtë më kanë thënë drejtues të PD-së. Një person i 4 është në mjediset e lokaeve të zonës, ka kaluar në gjendje të fikti dhe po i jepet ndihma. 

Foto te tjera

Ora 19:00 Tensione në Shkodër, PD marshon në pedonale, policia hedh gaz lotsjellës

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama mbylli takimin në Vaun e Dejes dhe i është drejtuar Shkodrës, PD ka nisur marshimin në Shkodër.

Ish-deputetë dhe përfaqësues të opozitës, bashkë me qytetarë shkodranë janë duke marshuar në pedonalen e qytetit, por janë konfliktuar me policinë, e cila është vendosur në gardh për të mos lejuar kalimin e protestuesve në tubimin elektoral të kryeministrit.

Gjatë përplasjeve me qytetarët policia ka hedhur edhe gaz lotsjellës, duke bërë që një gruaje ti bjerë të fikët. Kanë qenë qytetarët që i kanë dhënë edhe ndihmën e parë.

Nën thirrjet “Rama ik” qytetarët kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë, ndërsa gazetari i RTV Ora, Bepin Kolvataj  nga Shkodra raporton se  është e pamundur që të rish afër kordonit të policisë për shkak të gazit lotsjellës.


/Ora News.tv/