30 milion lekë shtesë do të akordojë qeveria për institucionin e Presidentit për vitin 2018, duke i ofruar kështu Ilir Metës më shumë buxhet se paraardhësit të tij Bujar Nishani.

Diferenca totale në buxhetin e Presidencës është 16.5 milionë lekë më shumë për Presidentin aktual në krahasim me periudhën kur institucioni drejtohej nga Nishani.

Megjithatë kërkesa e Presidencës është plotësuar pjesërisht pasi Sekretari i këtij institucioni Alqi Bako ka kërkuar nga qeveria një shtesë me rreth 60 milionë lekë të cilat do të shpenzoheshin në vitin e ardhshëm për automjete, sistemin e sigurisë, paga dhe aktivitete.

Në komisionin parlamentar të ligjeve, mazhoranca miratoi e vetme nen për nen projektbuxhetin e vitit 2018, ndërsa PD dhe LSI u shprehën me votë kundër çdo neni.

Bashkim Fino: Presidenca ka bërë dy kërkesa midis atyre çfarë ka kërkuar dhe ne i kemi dhënë 20 milionë lekë shpenzime operative dhe 10 milion lekë investime. Prokuroria kërkonte një numër punonjësish por u rakorduam dhe thamë në kuadrin  e procesit të ndryshimeve të reformës në drejtësi, qoftë fondin, qoftë numrin e punonjësve për vitin 2018 në buxhetin e shtetit janë të parashikuara.

Nasip Naço: Nuk e kam votuar nenin 4 sepse nuk parashikon rritje të pensioneve për gjithë këta qytetarë që janë në një moshë që kanë nevojë për buxhetin e shtetit. Ka vetëm një indeksim.

Por edhe pse diksutohej për buxhetin, PD nuk i kurseu akuzat për drogën.

Eduard Halimi: Mjafton të shikosh këto dy gjëra: Buxheti i shtetit është 3.4 miliard euro, buxheti i mafias është 5 miliard euro. Nuk e themi ne, e thotë BBC.

Ulsi Manja: Dhe po e tha BBC dhe ti është e vërtetë.

Eduard Halimi: Po pra.

Deputetët e mazhorancës votuan pro edhe për projektligjin e taksave vendore ndërsa sa i përket buxhetit, raporti përfundimtar do ti kalojë për miratim komisionit parlamentar të ekonomisë.

/Ora News.tv/