Qytetarët keqkuptohen, kërkojnë zgjidhjen e çështjeve gjyqësore tek “vettingu”

Qytetarët kanë shprehur ankesa të shumta pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke menduar se ky organ do të zgjidhë çështjet e tyre gjyqësore. Në fakt, qëllimi i ankesave të shumta të qytetarëve për vendimet e dhëna nga gjykata nuk është rishqyrtimi i këtyre vendimi, por krijimi i dosjeve për rivlerësimin e gjyqtarëve.

Me anë të një deklarate, ky Komision kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, ndërsa sqaron publikun se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kryen “vlerësimin e pasurisë, kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përveç të tjerash edhe duke hetuar mbi informacionet e ardhura nga publiku nëpërmjet Formularit të Denoncimit”. 

“E konsiderojmë me vend të themi se në këtë proces, çdo denoncim i publikut për akte korruptive apo fshehje të pasurisë, çdo provë që vërteton se subjekti i rivlerësimit ka lidhje me grupe kriminale apo kontakte të përshtatshme është një formë pjesëmarrjeje dhe bashkëpunimi me drejtësinë, me qëllim garantimin e funksionit të shtetit të së drejtës, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe veçanërisht rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi”, thuhet në deklaratë.

EMISIONET