Qeveria parashikon për SHISH buxhetin 1.5 miliardë lekë

Qeveria parashikon për SHISH buxhetin 1.5 miliardë lekë

Qeveria parashikon një buxhet vjetor për SHISH 1.5 mld lekë. Por ky institucion dhe deputetët demokratë kërkuan rritje të buxhetit. Pasi opozita u largua nga mbledhja, mazhoranca propozoi rritje me 5.2%. në një dalje për mediat, deputeti i PD Flamur Noka tha se protesta është aksioni dhe mënyra demokratike për rrëzimin e qeverisë Rama, pa dhënë detaje për datat, afatet dhe stragjinë. 

Tirane- Buxheti i Shërbimit Informativ Shtetëror u diskutua me dyer të mbyllura. Media la mbledhjen me kërkesë të drejtorit ekonomik të SHISH Ylli Aga dhe vendim të deputetëve të komisionit parlamentar të sigurisë për shkak të informacionit të klasifikuar.

Ylli Aga: Mund të dalin edhe informacione, të cilat janë të klasifikuara dhe i gjithë informacioni që është përcjellur, normalisht është i klasifikuar.

Buxheti i parashikuar për SHISH është 1.5 mld lekë, por fondi është kundërshtuar nga zyrtarët e shërbimit informativ shtetëror dhe deputetët e opozitës të cilët kërkuan rritje të fondit, pasi sipas tyre buxheti është përgjysmuar.

Pas debateve mes mazhorancës dhe opozitës, demokratët lanë mbledhjen e komisionit, dhe në dalje deputeti Flamur Noka foli  për aksionin opozitar që do të vijojë me protesta.

Noka: Kjo qeveri dhe timonieri kishin patentë për të drejtuar skafet, trafikun dhe krimin e organizuar. Është koha ta rrëzojmë dhe kjo qeveri i ka ditët e numëruar. Perandoria do të rrëzohet në mënyrën më demokratike të mundshme, me protesta dhe revolucion popullor. PD ka institucionet , të cilat do t’i vendosin afatet, datat dhe strategjinë.

Vijimi i mbledhjes ka dalë me një konkluzion, propozimin e rritjes së buxhetit të SHISH me 5.2% që edhe pse nuk është sasia e kërkuar, është diçka më shumë nga ajo që ishte parashikuar. Institucioni i SHISH është ende pa kryetar pas dorëheqjes së Visho Ajazit, ndërsa në pritje për tu dekretuar nga presidenti i vendit është ish-nën kryetari, Helidon Bendo.

/oranews.tv/

EMISIONET