Qeveria libiane rimerr Tripolin, zmbrapsen forcat armike

Qeveria libiane rimerr Tripolin, zmbrapsen forcat armike

Qeveria libiane e njohur edhe nga OKB-ja ka arritur fitore kundër komandantit Kalifa Haftar, duke çliruar territoret e humbura nga ofensiva e prillit të kaluar.

Qeveria libiane ka rimarrë nën kontroll kryeqytetin dhe një nga bastionet e fundit pas më shumë se një viti luftë me forcat e komandantit Kalifa Haftar.

Pas Tripolit një ditë më parë, të premten ekzekutivi njoftoi se ka mundur të zmbrapsë kundërshtarët edhe nga Tarhuna në juglindje.

Sipas këtyre të fundit, qyteza u lëshua pa luftë.

Ajo konsiderohej pikë strategjike e forcave armike të gjeneralit Haftar, i cili përkrahet nga Rusia, Egjipti dhe Emiratët e Bashkuara Arabe.

Ndërkohë, Turqia nga nëntori i kaluar ka dalë në krah të qeverisë së vendit edhe ushtarakisht, pasi arriti një pakt dobiprurës për vijat e demarkacionit.

Kontributin ushtarak të Ankarasë në javët e fundit e vuri në pah të enjten kryeministri i Libisë, Fajez al-Sarraj, gjatë një konference me kryeshtetari turk, Rexhep Taip Erdoan.

"Pas më shumë se një viti nga sulmi tradhtar i milicëve terroristë dhe atyre që i mbështetin, ju njoftoj se kryeqyteti Tripoli dhe rrethinat e tij janë çliruar. Por beteja jonë nuk përfundon pa u marrë nën kontroll i gjithë vendi. Dua t'u drejtohem edhe vendeve që e kanë mbështetur këtë agresion e që kontribuan në vrasjet e shkatërrimin e shtetit tonë, se ju humbët bastin, por ne do ju çojmë në gjyq."

Forcat e komandantit Haftar kontrollojnë lindjen e Libisë dhe portin e Bengazit, ndërsa prillin e kaluar ndërmorën ofensivë për ta shtrirë epërsinë e tyre edhe në perëndim.

Me qindra libianë mbetën të vrarë dhe 200 mijë të tjerë u shpërngulën si pasojë e konfliktit.

Gjatë kësaj kohe, sipas ekspertëve të OKB-së, krah komandantit Haftar luftuan edhe mercenarë rusë.

Dy palët vazhdojnë bisedimet për armëpushim që nga fillimi i përplasjeve në vitin 2014.

Ndërsa Libia mbetet nën regjimin e dhunës prej vitit 2011, kur revolta popullore solli rrëzimin dhe vrasjen e diktatorit Muamar al-Gadafi.

EMISIONET