Qeveria italiane nuk ka aprovuar draft ligjin bis mbi sigurinë e emigracionin, propozuar nga ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, e kërkon një ekzaminim të ri të tij, gjë që ka çuar në tensionimin e klimës politike brenda aleatëve të qeverisë Conte.

Rome- Ka përfunduar vonë pas mesnatës së mbrëmshme mbledhja e këshillit të ministrave të qeverisë italiane e cila kishte në diskutim draft ligje të rëndësishme midis të cilave atë mbi sigurinë e emigracionin, propozuar nga zëvendës kryeministri e ministri i Brendshëm Matteo Salvini.

Kreu i qeverisë Giuseppe Conte ka kërkuar një ekzaminim të ri të përmbajtjes së këtij dekret ligji duke nënvizuar kritika të normativës së tij ligjore.

Propozimi bis i Salvinit mbi sigurinë kombëtare e emigracionin parashikon gjoba të kripura ndaj anijeve humanitare që shpëtojnë emigrantët në det. 3500 deri në 5500 euro gjobë për çdo emigrant të transportuar si dhe heqjen e licencës së aktivitetit të tyre.  Por ajo çka ka shkaktuar tensione brenda qeverisë Conte është propozimi i Salvinit të heqjes së të drejtës të Ministrisë së Transportit për të limituar tranzitimin apo ndalimin e lundrimit të anijeve në ujërat territoriale, të drejtë që për Matteo Salvinin, duhet ta marrë Ministria e Brendshme.

Draft ligji bis i ministrit të Brendshëm italian është kritikuar ashpër dhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara e cila me një letër të Përfaqësuesit të saj në Gjenevë nisur ministrit të jashtëm Enzo Moaveri ka shprehur preokupime mbi këtë propozim ligjor i cili vë në diskutim të drejtat njerëzore ndaj emigrantëve.

Forcat aleate të qeverisë Conte prej javësh janë përfshirë në një klimë të tensionuar politike mes tyre, ushqyer dhe nga fushata elektorale e zgjedhjeve evropiane të 26 majit.

Dy zëvendës kryeministrat, njëherësh lider të Partive të tyre pretendojnë një rezultat sa më pozitiv në këto zgjedhje që sipas analistëve italianë mund të përcaktojë dhe fatin e të ardhmes së qeverisë Conte.

Salvini synon lidershipin e mazhorancën e koalicionit politik në Evropë, fakt që mund ta çojë në gjetjen e një aleance të re qeverisëse gjithnjë e më shumë pranë së djathtës.

/Ora News.tv/