E hëna mund të jetë ditë vendimtarë për të ardhmen e qeverisë italiane. Bashkëkryesuesi i koalicionit, Mateo Salvini, ka kërcënuar se mund të nisë procesin e anulimit të koalicionit nëse kabineti nuk çlirohet nga ministra që kundërshtojnë nismat e tij politike dhe ekonomike.

Zëvendëskryeministri italian, Mateo Salvini, ka paralajmëruar shkrirjen e koalicionit qeverisës, duke u dhënë fuqi zërave për zgjedhje të parakohshme.

Kryetari i partisë "Lidhja" tha të mërkurën se partnerët e "Lëvizjes 5 Yjet" po vonojnë axhendën e tij, që parashikon shkurtime taksash dhe investime të larta në vend.

"Diçka është thyer këta muajt e fundit. Gjërat do realizohen ose do të kthehemi sërish te populli. Unë nuk jam tipi i rrugëve të mesme, dua që gjërat të arrihen plotësisht dhe shpejt, përndryshe nuk kam pse ngroh karrigen e zëvendëskryeministrit," deklaroi Salvini gjatë një tubimi në qytetin bregdetar të Sabaudisë.

Qëndrimi erdhi pak orë pasi Senati hodhi poshtë një mocion të "5 Yjeve" për anulimin e projektit hekurudhor që lidh Torinon me qytetin francez të Lionit.

Senatorët e koalicionit thanë se megjithëqë votimi nxjerr në pah kontradiktat e forta mes partnerëve të ekzekutivit, stabiliteti i vendit nuk duhet vënë në rrezik para muajit tetor, kur votohet buxheti i vitit të ardhshëm.

Nisur nga zhvillimet e fundit, mësohet se Salvini ka kërkuar përtëritjen e kabinetit, që nënkupton largimin e disa ministrave nga radhët e "5 Yjeve", përndryshe mund të nisë procesin e zgjidhjes së qeverisë nga dita e hënë.

Në Romë kanë nisur të përfliten datat e zgjedhjeve të reja, që mund të mbahen më 6 ose 13 tetor.

/Ora News.tv/