Qeveria gjermane: Shtyhet takimi Kosovë-Serbi në Paris

Qeveria gjermane: Shtyhet takimi Kosovë-Serbi në Paris

Qëndrimet e ngurta të Prishtinës për tarifat apo Asociacionin e Komunave serbe në vend kanë shtyrë bisedimet për pajtim me Beogradin. Lajmi i konfirmuar nga qeveria gjermane vjen pas takimit sekret që delegacionet e Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Europian mbajtën të mërkurën në Berlin.

Kryeshtetarët e Kosovës dhe Serbisë nuk do të takohen më 1 korrik në samitin e planifikuar të Parisit. Një zëdhënëse e qeverisë gjermane informoi agjencinë gjermane, Deutsche Welle, se takimi është shtyrë.

Delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi raportohet se ditën e mërkurë zhvilluan një takim parapërgatitor në Berlin, në praninë e diplomatëve nga Gjermania, Franca dhe Bashkimi Europian.

Mbledhja sekrete u mbajt vetëm me dijeninë e kryeministrit të Kosovës, pa u njoftuar presidenti apo ekipi negociator i mandatuar për dialogun me Serbinë.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, njoftoi të premten se Beogradi u përfaqësua nga Marko Gjuriç, shefi i së ashtuqujturës Zyra Serbe për Kosovën.

Vuçiç fajësoi pozicionin e ngurtë të Prishtinës në lidhje me tarifat ndaj Serbisë dhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe si shkaqe për shtyrjen e takimit.

Vuçiç: "Ky takim nuk do të sillte rezultate pasi shqiptarëve nuk u ka shkuar mendja të heqin tarifat. Mendoj se gjermanët dhe francezët tani e dinë se kush nuk dëshiron dialog, kush e ngec atë, dhe kush do që në vend të Europës kjo temë të merret përsipër nga dikush tjetër, pra SHBA-ja."

Samiti i Parisit që pritej të mbahej në më pak se dhjetë ditë u shpall nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel pas samitit të fund prillit në Berlin.

Qëllimi i palëve mbetet normalizimi i raporteve dhe njohja reciproke mes dy fqinjëve të Ballkanit.

EMISIONET