Qeveria e re në Itali, gjithçka varet nga Presidenti, deri të mërkurën vendimi

Qeveria e re në Itali, gjithçka varet nga Presidenti, deri të

Ka nisur një javë mjaft e rëndësishme për formimin e qeverisë së re italiane. Kronika politike bëhet çdo ditë dhe më e tensionuar. 

Koaliconi i mundshëm mes Lëvizjes 5 Yje dhe Partisë Lidhja gjatë orëve të fundit është shndërruar në një alternativë të largët. Pas dy raundeve konsultimesh me Presidentin e Republikës, forcat politike nuk kanë bërë asnjë hap para duke mbetur të vendosura në pozicionet e tyre.

Lideri i 5 Yjeve Lugi Di Maio ka përsëritur kërkesën për krijimin e një qeverie vetëm me Partinë Lidhja duke i bërë apel Silvio Berlusconit të bëj një hap pas. 5 yjet janë kundër një koalicioni me të gjitha partitë e së djathtës duke i kërkuar Matteo Salvinit, të zgjedh "o revolucionin o rrugën e restaurimit të politikës së vjetër duke qëndruar me Bersluconin".

Nga ana tjetër lideri legist përgjigjet se "5 Yjet duhet të respektojnë votën e italianëve që kanë votuar koaliconin e djathtë si forcën fituese të zgjedhjeve të 4 marsit."

Gjithçka duket se ka mbetur pezull në duart e kreut të shtetit Sergio Mattarella që ka deklaruar se brenda ditës së mërkurë do të marrë vendimin për formimin e qeverisë së re.

Situata e komplikuar ndërkombëtare, ngjarjet në Siri por dhe axhenda e rëndësishme europiane kërkojnë domosdoshmërinë e krijimit sa më të shpejtë të ekzekutivit të ri italian. 

Po cili do të jetë vendimi i Presidentit të Republikës? Cilës forcë politike do t'i ngarkojë detyrën e formimit të qeverisë së re?

Gjatë këtyre orëve të rëndësishme, analistët italianë japin dy alternative të mundshme: Ose një qeveri me funksion eksplorues deri në arritjen e një koalcioni të mundshëm qeverisës, ose një qeveri direkte ku një force apo një formacioni politik i ngarkohet detyra për formimin e ekzekutivit të ri.

Prej ditës së sotme deri të mërkurën të gjithë presin që numër një i shtetit italian të marrë vendimin.

 

EMISIONET